Kursimet e shqiptarëve në banka shënuan rritje për të tretin muaj radhazi në shkurt, por monedha e preferuar e tyre për të lënë para mënjanë nuk është ajo vendase.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në lekë në fund të shkurtit ishte 1.005 trilionë lekë (rreth 8 miliardë euro), duke shënuar një rritje prej 0.3% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Kjo rritja ka ardhur tërësisht nga valuta, teksa kursimet në lekë kanë mbetur të pandryshueshme. Depozitat në monedhë të huaj (kryesisht euro), por të raportuara në lekë, u rritën me 0.5% me bazë vjetore.
Në të kundër, depozituesit nuk po kursejnë në lekë. Depozitat në afat në lekë kanë vijuar rënien e pandalshme të nisur që nga fundit i vitit 2011, kohë kur Banka e Shqipërisë filloi politikën e saj lehtësuese monetare, që u shoqërua me uljen e normave të interesit në lekë në banka. Sot për kursimet 12 mujore, interesi vjetor i përfituar është më pak sesa 1%. Si rrjedhojë, pesha e kursimeve me afat të individëve në lekë, ndaj totalit të depozitave ka zbritur në 23.5%, nga 40% në janar 2013.
Rënia e kursimeve në lekë dhe rritja e atyre në valutë ka bërë që bankat të furnizohen me valutë, më shumë sesa me monedhën vendase. Në fund të muajit shkurt, pesha e kursimeve në valutë ndaj totalit arriti në 54.1%, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë që pas viteve ’90.
Në muajin shkurt, të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e depozitave në valutë erdhi kryesisht nga kursimet e individëve.
Me bazë vjetore (shkurt 2019/shkurt 2018), depozitat në sistem janë rritur me 1%, që ka ardhur tërësisht nga kursimet në valutë (+3.9%), ndërkohë që ato në lekë ranë me 1.5% për të njëjtën periudhë.
Banka e Shqipërisë në mbledhjen e saj të fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%, që është në nivele minimum historike, çka do të bëjë që bankat të vijojnë të mbajnë interesa të ulëta për kursimet në lekë./Monitor