Regjimi komunist në Shqipëri e shkatërroi pronën private thuajse tërësisht, duke zbehur në këtë mënyrë edhe instrumentin e trashëgimisë.
Por aktualisht shqiptarët janë ndër poseduesit më të mëdhenj të shtëpive në rang europian dhe rajonal, pasi pas viteve 1990 i kanalizuan kursimet në ndërtimin dhe blerjen e shtëpive të reja.
Në total 90.2% e familjeve janë pronare të shtëpisë ku jetojnë, ndërsa 5% jetojnë me qira, sipas INSTAT. Sipas të dhënave që ka publikuar Eurostat së fundmi, vendi me përqindjen më të lartë të familjeve që e zotërojnë pronën ku jetojnë është Rumania, me 96.8% të familjeve pronare, e ndjekur nga Kroacia me 90.5% dhe Shqipëria me 90.2%.
Por një anketë e Bankës Qendrore të Austrisë ka gjetur se, Shqiptarët kanë trashëgiminë më të ulët të shtëpive në Rajon, teksa kemi nivelet më të larta të blerjeve dhe ndërtimit të tyre.
Nga pronësia e përgjithshme e shtëpive, 43.5 e tyre janë bërë pronarë nëpërmjet blerjes dhe 28 për qind nëpërmjet ndërtimit, teksa vetëm 9% i kanë trashëguar. Në Rajon pronësia në masën më të madhe është krijuar nga trashëgimia dhe ndërtimi dhe më pak nga blerja.
Për shembull në Maqedoni nga pronarët e banesave 45% e tyre i kanë trashëguar, 26 për qind i kanë blerë dhe 16.4% i kanë ndërtuar vetë. Në Bosnjë rezulton se 30 për qind, e pronarëve i kanë trashëguar banesat, 48 % i kanë ndërtuar vetë dhe vetëm 20 për qind i kanë blerë.
Në Serbi trendet janë të ngjashme. Pronarët e banesave janë krijuar 36% nga trashëgimia, 31% nga ndërtimi dhe 26, 7 duke i blerë. Në vendet e tjera të Europës Juglindore të tilla si Hungaria, Cekia dhe Polonia pronësia e banesave ishte krijuar nga blerjet në një nivel më të lartë se rajoni.
Blerja e një shtëpie në Shqipëri në ditët e sotshme shpesh shihet si një instrument investimi i sigurt. Vendi nuk ka një treg aktiv kapitalesh dhe as instrumente financiarë të larmishëm për të investuar kursimet. Tani që interesat e depozitave në banka janë në nivele të ulëta historike, investimet në blerjen e banesave janë rritur dhe kjo pasqyrohet në zhvillimet aktive në sektorin e ndërtimit. Lejet e ndërtimit në pesë vitet e fundit janë rritur me shpejtësi, inventarët e ndërtuesve janë me ulje edhe pse çmimet po vijnë me rrite nga viti në vit dhe popullsia po zvogëlohet, raporton Monitor.