Nga Stavros Tzimas
Pse po bien në vesh të shurdhët përpjekjet e presidentit turk për të përhapur ndikimin e tij në mesin e popullatës myslimane në rajon?
Në një fjalim të kohëve të fundit të mbajtur në Stamboll, Recep Tayyip Erdogan veshi mantelin e liderit të botës myslimane dhe foli për “gjeografinë e zemrës së tij”, me turmat e ithtarëve që u përgjigjën me sloganin “Ja gjenerali, dhe ne jemi ushtria e tij!”.
Por këto ndjenja, “gjenerali” e ka jo pak të vështirë që t’i eksportojë jashtë Turqisë. Në vitin 1521 pas Krishtit, Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, deklaroi me madhështi sapo kishte pushtuar Beogradin se do të shkonte deri “ku bie kambana e fundit e krishterë”.
Por ëndrra e tij u shkatërrua në Danub, para mureve të Vjenës. Ushtritë e tij u dërrmuan nga ato të aleatëve të krishterë, dhe i poshtëruar ai u detyrua të tërhiqej në tokat e asaj që sot është Bosnje Hercegovina.
500 e ca vite më vonë, një tjetër turk, një president me retorikën e një sulltani, Recep Tayyip Erdogan, parashikon rindërtimin e një Perandorie të re Osmane – që ai e quan “Atdheu Blu” – që do të arrijë në Perëndim deri ku mbërriti dikur Sulejmani.
Një rrugë që kalon përmes Thrakisë, Selanikut dhe Shkupit, dhe në lindje deri në Kinë…
Nën petkun e mbrojtësit të “të gjithë atyre që vuajnë dhe kanë dhimbje”, pra të myslimanëve, ai “shpalos” hartën që ka në mendjen e tij. “Selaniku, Shkupi, Mosuli, Jerusalemi. Ne i shohim ato ashtu si qytetet tona. Gjeografia e zemrës sonë, shtrihet nga Adriatiku deri në Murin e Madh kinez”- shprehet ai para turmave të mëdha me mbështetës fanatikë.
Çështja është nëse madhështia e tij rezonon me popullsinë myslimane të Ballkanit, të cilat ai aspiron që t’i lidhë fort pas “karrocës” turke. Shumëkush do të priste që kritizeri kryesor i Izraelit, dhe ai që merr rolin e “çlirimtarit” të palestinezëve, do të entuziazmonte shpirtrat e miliona bashkë-besimtarëve të tij në rajonin e Ballkanit, të cilët Erdogan i konsideron një “forcë të madhe në luftën për madhështinë e tij perandorake”, siç shprehet gazeta gjermane Die Welt.
Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Kohët e fundit, ka pasur disa tubime në qytete si Sarajeva, Beogradi dhe Shkupi, me pjesëmarrjen e myslimanëve dhe të krishterëve. Mediat i pasqyruan ngjarjet si kudo tjetër, por predikimet e presidentit turk për kryengritjen e myslimanëve kudo në emër të Allahut, u ndeshën me indiferencën e të shoqërive myslimane.
Megjithatë presidenti turk nuk është dekurajuar. Që nga fillimi i vitit 2000 kur erdhi në pushtet, fillimisht si një islamik i moderuar, ai ka bërë ture vizitash nëpër Ballkan, ku Turqia ka luajtur historikisht me ndjenjat e popullsisë myslimane. Ai jep para, kredi për projekte të mëdha në infrastrukturë, shet armë, falet në xhamitë që rikontrukton apo ngre nga e para.
Dhe pas vitit 2016, po i persekuton gylenistët “terroristë”. Megjithatë, shumica e myslimanëve të Ballkanit, kanë në ADN-në e tyre një ndjenjë kozmopolitanizmi. Ata kanë mësuar nga thellësia e shekujve të jetojnë në paqe me popullsinë e krishterë, dhe t’i kenë sytë nga Perëndimi.
Romani “Ura në Drina”, i shkrimtarit boshnjak fitues të çmimit Nobel, Ivo Andric, është një tekst i jashtëzakonshëm që përshkruan bashkëjetesën harmonike shekullore të 4 kombësive, feve dhe kulturave të ndryshme në Bosnje. Në fakt, të rinjtë myslimanë po emigrojnë masivisht në Francë, Gjermani, Itali, Britani, Suedi dhe SHBA në kërkim të një jete më të mirë atje, dhe jo në Turqi, Arabinë Saudite apo Egjipt.
Një dëshmi kjo se ata nuk ndikohen aspak nga paternalizmi fetar i liderit turk. Nga ana tjetër, myslimanët e Ballkanit – ashtu si të krishterët – nuk u thonë jo investimeve dhe parave të Erdoganit. Ata e pranojnë afërsinë e tyre fetare dhe lidhjet historike me Turqinë. Por shumica dërrmuese e tyre nuk ndihen aspak turq, dhe as nuk shfaqin ndonjë prirje për të anashkaluar identitetin e tyre kombëtar.
Madje në jo pak disa raste, kanë treguar se nuk janë dakord me këmbënguljen e Erdoganit për t’i lidhur me “karrocën” turke. Ashtu si në vitin 2013 kur duke folur në një tubim në Prizren të Kosovës, Erdogan deklaroi se shteti i ri i pavarur ishte atdheu i tij i dytë dhe se dy popujt, turqit dhe shqiptarët, i përkisnin të njëjtit vend.
“Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë!” deklaroi ai. Ai nuk priste që fjalët e tij të nxisnin një furtunë të madhe reagimesh, jo vetëm nga të huajt, si serbët, por sidomos nga bashkëfetarët e tij. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, ka treguar vazhdimisht në shkrimet e tij se e konsideron pushtimin osman përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet sot kombi shqiptar.
“Ajo që kam shkruar dikur, është shumë aktuale edhe sot. I ashtuquajturi rrezik sllav i zhdukjes së kombit shqiptar, ishte një shpikje e osmanëve dhe neo-osmanëve”, tha ai. Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Beogradit u ftohën për një kohë pas asaj deklarate.
“Serbia nuk mund t’i cilësojë si miqësore deklarata të tilla”, u shpreh Ministria e Jashtme serbe, teksa Aleksandar Vuçiç kërkoi “një falje publike urgjente” nga turqit. Një nga vizitat e Erdogan në Tiranë në vitin 2022, pikërisht në përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar në luftën çlirimtare kundër osmanëve, Gjergj Kastrioti, i njohur më mirë si Skënderbeu, u pa si provokim nga një pjesë e madhe e publikut shqiptar.
Presidenti i atëhershëm Ilir Meta shmangu takimin me të, dhe ndërsa Erdogan po mbante një fjalim duke lavdëruar të kaluarën osmane të Shqipërisë, preferoi të shkonte në Lezhë për të vendosur një kurorë në monumentin e Skënderbeut. Sigurisht, Erdogan nuk po harxhon energji vetëm për këtë.
Në Ballkan, Turqia po punon strategjikisht në është e angazhuat në nivelet më te larta, duke tentuar të ndërhyjë në konfliktet etnike dhe zhvillimet e brendshme politike. Ajo ka qenë relativisht e suksesshme, në nivel qeveritar, në përpjekjet e saj për të pajtuar Beogradin dhe Sarajevën në lidhje me Masakrës së Srebrenicës.
Tani po pretendon hapur të ketë një rol ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri në pikën e zemërimit të shqiptarëve. Përgjigja nga qeveria e Prishtinës ishte: “Faleminderit, por jo. Ky dialog po zhvillohet nën kujdesin e Bashkimit Evropian”.
Pesë shekujt pasi Sulejmani bëri kërcënimin e tij ndaj Perëndimit të krishterë nga Beogradi, Erdogan zgjodhi të bënte kërcënimet e tij ndaj Perëndimit nga Bosnja, pasi ai ishte dikur kufiri evropian i Perandorisë Osmane. Në një fjalim elektoral të mbajtur më 20 maj 2018 në Sarajevë, në prani të 15.000 turqve nga vende të ndryshme, ai u kërkoi atyre të aktivizohen në parti politike dhe të kërkojnë vende në parlamentet e vendeve ku jetojnë.
Pas popullatave myslimane të Ballkanit, Erdogani duket se po përpiqet të vërë në gatishmëri morinë e turqve në Evropën Perëndimore, duke qenë vetë si “kumbari” i tyre politik dhe fetar. Udhëheqësi turk po përpiqet të frymëzojë bashkë-besimtarët e tij duke ua rishitur atyre vizionin e Sulejmanit të Madhërishëm.
Por ndërsa boshnjakët, shqiptarët dhe kosovarët i pranojnë investimet e Ankarasë, ata i kundërvihen synimit të kësaj të fundit për të ndërhyrë në marrëdhëniet e tyre me Beogradin.
Burimi: Kathimerini