Çështjet ekonomike shqetësojnë shqiptarët më shumë se ato sociale.
Sipas anketës nga Barometri i Ballkanit, 57% e shqiptarëve janë të shqetësuar për ekonominë në përgjithësi dhe kjo është norma më e lartë ndër të gjitha vendet e tjera të rajonit.
Një vit më parë ky tregues ishte 50%.
Por shqetësim më i fortë për shqiptarët janë çmimet dhe kostot e jetesës, 71%.
Vendin e parë e zë Serbia me 73%.
Në tërësi vërehet se shqiptarët vlerësojnë më me rëndësi çështjet ekonomike dhe më pak ato sociale, ndryshe nga shtetet fqinje.
Qytetarët e Shqipërisë janë të merakosur edhe për nivelin e papunësisë në vend duke mbajtur përsëri vendin e parë në rajon, me 40%.
38% e shqiptarëve vlerësojnë si problem korrupsionin dhe 32% emigrimin e trurit, më shumë se në Ballkan.
Por, ndryshe nga fqinjët, shqiptarët nuk konsiderojnë problem serioz për vendin cilësinë e arsimit, 4%, cilësinë e shërbimit shëndetësor, 11% dhe as mungesën e stabilitetit politik, 15%, të treja normat më të ulëta në rajon.