Aktualitet Shqiptarët nëpër botë tregojnë pse e morën vaksinën anti-Covid

Shqiptarët nëpër botë tregojnë pse e morën vaksinën anti-Covid

Një infermiere italiane duke marrë vaksinën anti-Covid

Një sëmundje e re, disa vaksina të reja dhe një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërjetuar më parë, sigurisht që do të pasohet me një qasje skeptike ndaj vaksinave të Covid, ndonëse kundërshtimi i vaksinave nuk është diçka e re. Megjithatë në mesin e shumë pikëpyetjeve, është me rëndësi të lexojmë përvojat e njerëzve, të cilët kanë bërë vaksinën e Covid ose janë pro saj. Në vijim gjeni disa prej eksperiencave të tyre, të mbërritura në redaksinë e Anabel.al.

1-

“Unë jetoj në New York dhe punoj në një spital. E kam bërë dozën e parë të vaksinës javën e fundit të dhjetorit dhe dozën e dytë e kam në janar. Nuk e kam kaluar Covidin, por e gjithë administrata dhe doktorët po vaksinohet. Nuk kam patur ndonjë efekt anësor.”

2-

“Unë jetoj në Chicago dhe dy shoqet e mia mjeke e kanë bërë para disa ditësh. Të dyja janë shumë mirë dhe s’kishin asnjë efekt anësor deri tani. Kanë bërë atë të Pfizer.”

3-

“Jam infermiere dhe jetoj në veri të Italisë. Kam zgjedhur t’i besoj shkencës dhe jam pro vaksinës. Me mjekët që kam komunikuar kemi diskutuar që efekti anësor i Covid është më i rrezikshëm se i vaksinës.”

4-

“Halla ime e bëri vaksinën para një jave. Ajo punon në vijën e parë në Mayo Clinic në SHBA. Ishte e detyrueshme për punonjësit. Ajo bëri vaksinën e Pfizer. Bëhet me dy doza, doza e dytë do të bëhet pas tri javësh. Nuk ka patur efekte anësore, as temperaturë, as alergji dhe as të vjella. I kanë thënë që të kontrollojë temperaturën e trupit. Ajo është një e mbijetuar e kancerit dhe trupi e përballoi shumë mirë vaksinën.”

5-

“Unë e kam bërë dozën e parë. Jam studente e mjekësisë dhe punoj në spital. Personalisht kam bërë shumë hulumtime dhe nga mendimet e laborantëve, doktorëve dhe farmacistëve, mendoj që është testuar mjaftueshëm mirë. Prandaj vendosa ta bëj. Efekte anësore pasi e bëra nuk pata, vetëm pak dhimbje krahu për 3-4 ditë, por që është normale kur bën vaksinën. Efektet anësore janë të ndryshme, por nuk kisha asnjë.”

6-

“Unë jam përfunduar studimet për mjekësi të përgjithshme në Shqipëri dhe tani jetoj në SHBA. Bëra vaksinën e Moderna-s. Efekte anësore 24 orë pas bërjes së vaksinës kisha vetëm dhimbje muskulare në vendin e injeksionit dhe dobësi trupore. Sot është dita e tretë dhe nuk kam asnjë simptomë. Kam për të bërë dozën e dytë më 26 janar. I kam lexuar komentet online. Kam përshtypjen se njerëzit nuk besojnë sepse vaksina është e re dhe s’duan të jenë të parë. Ndoshta duan të shohin efektet anësore të vona. Plus ka shumë teori konspirative për chip e gjëra që do na ndjekë qeveria, të cilat janë të pavërteta. Prandaj mendoj se ka skepticizëm, sepse u prodhua dhe provua në një kohë relativisht të shkurtër. Mendoj se për të parë efektet anësore afatgjata duhet të bëhen kërkime shkencore, por për momentin, përfitimet që kemi nga imunizimi i popullatës i tejkalojnë mundësitë e shfaqjes së efekteve anësore në një kohë të dytë.”

7-

“Unë e bëra sepse punoj në mjekësi dhe jam mirë. Do të bëj dozën e dytë të vaksinës së Pfizer në datën 5 janar. Duhet të kërkoni informacione shkencore, jo të dëgjojmë thashetheme të pabaza. Në vendin ku jetoj unë, Philadephia, janë bërë 2.8 milionë doza. Ndoshta kjo mbulon gjithë popullsinë e Shqipërisë. Në 2.8 milionë doza, efekti anësor është dhimbje në krahun e vaksinës për 24-48 orë. Efekte të tjera janë lodhje, ndjesi plogështie në ditën pas vaksinës. Rasti më shqetësues ishte dikush që pati reaksione alergjie në New York, i cili u mjekua dhe gëzon shëndet të plotë. Informacionet janë transparente dhe mund t’i shihni kudo. Asnjë shkencë e mirëfilltë nuk thotë se vaksinat janë të dëmshme. Me vaksina janë zhdukur sëmundje si poliomelitit, shytat. Vite më parë, shumë njerëz kanë vdekur në mungesë të vaksinave të gripit të thjeshtë. Tani këto vdekje rrallë ndodhin. Përpara se të bëja vaksinën u sigurova mirë.

1- Kam ndjekur dhe lexuar rezultatet e provave klinike; rezultatet gjatë studimit dhe miratimit të vaksinës.

2- Vaksina është e miratuar nga FDA në SHBA dhe autoritetet përkatëse kudo në botë. Këto autoritete përbëhen nga mjekë dhe shkencëtarë.

3- Unë jam farmaciste prej 12 vjetësh, e shkolluar dhe diplomuar në SHBA, dhe e kuptoj mënyrën si veprojnë vaksinat dhe ilaçet e tjera.

4- Punoj në spital dhe jam e rrethuar nga njerëz shumë më të ndritur se unë, të cilët janë informuar, janë inteligjentë dhe nuk kam dëgjuar ndonjë që ta refuzojë.

5- Çdo ilaç e ndërhyrje mjekësore ka efekte anësore. Asnjë vaksinë nuk është 100% e sigurt. Ka efekte anësore plot. Por e rëndësishmja është që përfitimet janë shumë herë më të larta se risku. Nuk ka asgjë që të jetë 100% efektive për 100% të popullsisë, por ideja është që të ndihmojë pjesën dërrmuese të pacientëve. Vetëm Zoti mund të shpikë ndonjë ilaç që bën mrekullira. Deri atëherë, do të bëjmë më të mirë me çfarë kemi në dorë ne të vdekshmit.”

Në vijim gjeni një përmbledhje informacioni, të realizuar duke iu referuar burimeve si Healthline, WebMd dhe Mayo Clinic, mbi kundërshtimin e vaksinave dhe çfarë thotë shkenca.

Kundërshtimi i vaksinave

Ekspertët e shëndetësisë dhe mjekësisë i kanë cilësuar shpesh vaksinat si një nga arritjet kryesore të shekullit XX, por jo të gjithë bien dakord. Në vitet e fundit, kundërshtimi ndaj vaksinimit është diskutuar shpesh në lajme. Disa prindër kanë vendosur të heqin dorë nga vaksinimet për fëmijët e tyre për arsye të ndryshme. Kjo ka rezultuar në një rritje të sëmundjeve infektive që ishin zhdukur më parë ose ishin gati në zhdukje.

A është diçka e re kundërshtimi i vaksinimit?

Kundërshtimi i vaksinimit nuk është një koncept i ri. Për sa kohë që ka pasur vaksina, ka pasur njerëz që i kanë kundërshtuar ato. Refuzimi i vaksinave filloi në fillim të viteve 1800 kur vaksina e lisë filloi të përdoret te një numër i madh njerëzish. Ideja për t’i injektuar dikujt linë e lopës për ta mbrojtur atë u përball me shumë kritika.

Shënim: Lija e lopës është një infeksion i shkaktuar nga lopët ose dhentë. Më 14 maj 1796, mjeku anglez Edward Jenner mori lëng nga një fshikë lope dhe e kruajti atë në lëkurën e James Phipps, një djalë tetëvjeçar. Një fshikë e vetme u pa te lëkura e djaloshit, por James u shërua shpejt. Më 1 korrik, Jenner infektoi përsëri djalin. Kësaj here nuk u zhvillua asnjë sëmundje. Vaksina rezultoi një sukses.

Kritikat u bazuan në kundërshtime sanitare, fetare dhe politike. Disa klerikë thanë se vaksina shkonte kundër fesë së tyre.

Arsyet më të përhapura pse disa njerëz kundërshtojnë vaksinat

Ka një sërë arsyesh prapa kundërshtimit të vaksinave. Disa njerëz duan të heqin dorë nga vaksinimet e ndryshme për shkak të një rreziku të lartë të reaksioneve të mundshme alergjike. Por vlen të theksohet se shumica e vaksinave nuk shkakton asnjë reaksion alergjik. Disa përmendin besimet fetare si arsyen e refuzimit për t’u vaksinuar, megjithëse shumica e feve kryesore nuk i dënojnë vaksinat.

Ekziston një besim se sëmundjet po zhduken për shkak të higjienës më të mirë, jo për shkak të vaksinave. Kjo është provuar se nuk është e vërtetë.

Njerëzit gjithashtu mendojnë se rreziqet janë më të mëdha se përfitimet. Disa përmendin shumë rreziqe mjekësore, përfshirë autizmin, si pasoja të mundshme të vaksinimit.

Ekziston besimi se meqenëse këto sëmundje janë zhdukur, nuk ka nevojë për vaksinime. Por, ekspertët e shëndetësisë thonë se sëmundjet do të zhduken vetëm për sa kohë vaksinat përdoren ende për t’i parandaluar ato.

Disa njerëzit janë të mendimit se kompanitë farmaceutike duan vetëm të shesin produktet e tyre, pavarësisht ndikimit te njerëzit. Të tjerë besojnë se vaksinat do të përdoren për t’u injektuar njerëzve chip, do të përdoren për të përhapur sëmundje të tjera ose kanë qëllime sterilizimi.

Marrë me shkurtime nga Anabel.al