Kryesore “Shqiptarët nuk janë si boshnjakët, do luftojnë”/ Gjenerali Clark: Cili ishte sekreti...

“Shqiptarët nuk janë si boshnjakët, do luftojnë”/ Gjenerali Clark: Cili ishte sekreti i suksesit të UÇK-së

Pas kaq kohësh, ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, rrëfen disa të pathëna nga lufta e Kosovës.

Clark tregoi për emisionin “Opinion” se amerikanët ishin të gatshëm të hynin dhe me trupa tokësore në Serbi nëse Sllobodan Millosheviçi nuk do të dorëzohej. “Ai ishte si një gangster, si lider mafioz. I manipulonte dhe i detyronte njerëzit të bënin gjëra, pa folur fare. S’po them ta vrasësh. Bëj atë që është e nevojshme, u thoshte dhe faji u mbetej atyre”; kështu e përshkroi gjenerali njeriut që njihet ndryshe dhe si “Kasapi i Ballkanit”.

“Në samitet e NATO-s nuk është përmendur asnjëherë ndërhyrja tokësore”, tha ai duke treguar megjithatë se plani ekzistonte dhe trupat do të hynin nga dy shtete fqinje të Serbisë, Maqedonia dhe Hungaria, si dhe Shqipëria.

“Ne e kishim planin tjetër që fushata e bombardimeve të mos vazhdonte pa fund. Po përgatisnim planin për dërgimin e disa trupave tokësore. Disa do të hynin nga Shqipëria, disa nga Maqedonia dhe disa nga Hungaria. Nuk do të ndaleshim deri në dorëzimin e Serbisë, apo Jugosllavisë.

Nuk do të ndaleshim asnjëherë, nëse Millosheviç nuk do të dorëzohej. E keqja ishte se ai nuk po e kuptonte me çfarë po përballej. Rrinte me një pije në dorë në shtëpinë e tij”, u shpreh Clark.

Po pse zgjati aq shumë lufta? 3 muaj. Moti, diplomacia, ndonjë problem?

Ajo nuk ishte luftë sipas standardeve amerikane. Të donim të bënin një luftë të vërtetë, do të kishim sjellë trupa, do të nisnim sulmet ajrore e çdo gjë do të merrte fund brenda një jave, pak a shumë. Do të ishte bërë luftë e ashpër, por ama me shumë humbje, me shumë të vrarë. Po ne kurrë s’kemi pasur si qëllim të pushtonim Serbinë. Donim vetëm t’i jepnim fund konfliktit në Kosovë. Millosheviçi duhej vetëm të pranonte paqeruajtësit e NATO-s. Përkundrazi, ai nisi pastrimin etnik ndaj shqiptarëve. Ishte një gabim i tmerrshëm. Përdornin ushtrinë, rrethonin fshatin, fusnin brenda policinë speciale, arrestonin dhe vrisnin njerëz. Vidhnin, përdhunonin e gjëra të tilla si këto. Ishte një sistem i organizuar dhe kur nisi në javën e dytë të Marsit, na u desh t’i evakuonim diplomatët. Më duket se ka ndodhur në 19 Mars. U mor vendimi sepse ata ishin çmendur. Sulmonin civilë. Donte NATO-ja të hidhte bombat? Po sigurisht që jo. Ne nuk duam të vrasim njerëz e të nisim luftën, por s’mund të lejojmë një tjetër episod të pastrimit etnik në Ballkan. Na u deshën vite për ta ndaluar atë në Bosnjë. Kryesisht ishim të suksesshëm, por ja, i njëjti person po e nis sërish atë. Në asnjë mënyrë! NATO-ja u bashkua dhe pas ditës së dytë u bë e qartë që Millosheviçi nuk kishte ndër mend ta anulonte këtë fushatë. Shkova të takoja sekretarin Solana, mbrëmjen e së dielës, pas natës së 4-tërt të bombardimeve. I thashë se duhet të përshkallëzonim goditje ushtarake kundër Millosheviçit.

U shkatërruan dy MIG-ët e parë në ditën e parë. Në libër thoni se në takimin e parë Millosheviçi dhe ushtria jugosllave po ju shpjegonte fuqinë e UÇK-së. Pse ishte e pamundur për Millosheviçin fitorja kundër UÇK-së kur kjo kishte 400, ja 1 mijë vetë përballë ushtrisë së madhe jugosllave.

Kur i trajton njerëzit keq, të ngrihen kundër më shumë. Sa herë luftonte me UÇK-në, vriste shqiptarë dhe e acaronte më shumë popullin shqiptar. Në mars 1998 shkova në Maqedoni të shihja taskforcën, mbi 1 mijë ushtarë në kufi. Kur u ula, mora një telefonatë nga ambasadori amerikan. Më kërkoi të takohesha menjëherë me presidentin Gligorov. Ai më tha se diçka shumë e keqe do të ndodhë. Serbët kanë bërë një gabim shumë të madh duke vrarë familjen Jashari. Shqiptarët nuk janë si boshnjakët. Këta do të luftojnë. Këtu do të ketë vërtet konflikt.

Nga pikëpamja luftarakë, cili ishte sekreti i suksesit të UÇK-së?

UÇK-ja ka luajtur një funksion vërtet të rëndësishëm. Kanë ushtruar presion tokësor që e kufizonte fushatën ajrore. E vetmja gjë me të cilën nuk donte të përballej Millosheviçi, një forcë e armatosur shqiptarësh. E dinte se ajo forcë, e mbështetur nga forcat ajrore të NATO-s, do ta shkatërronte ushtrinë serbe. Në javën e parë të Qershorit, ndërsa ata filluan të përparonin, munda të kërkoj mbështetje ajrore, sollëm bombat. I dëmtuan rëndë serbët. Aty u cenuan forcat tokësore serbe. Milosheviçi e shihte që s’mund të fitonte, s’mund ta mbante territorin, të fitonte politikisht. Por një nga dëmet më të mëdha që iu bë Millosheviçit… U akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimit. Ajo e dëmtoi vërtet.