Vetëm perime dhe ullinj. Sikundër edhe lloje të ndryshme pemësh. Por jo më drithëra si dikur, të cilat “pushtonin” mijëra hektarë toke të këtij vendi. Ky është trendi më i fundit i bujqësisë shqiptare, i cili duket se po përforcohet nga viti në vit. “Në vitin 2016, u prodhuan plot 1.129 mijë ton perime, me një rritje në nivelin prej 9.6% krahasuar me një vit më parë”, cilësojnë ekspertët lidhur me të. Për të detajuar më tej se janë pikërisht qarqet e Fierit, Tiranës dhe Beratit, aty ku mbillen më shumë perime deri në 373.406 tonë. Mesa duket, fermerët kanë konstatuar norma më të larta fitimi tek to, ndërsa shumica e tyre tashmë edhe i eksportojnë jashtë vendit, prandaj edhe e kanë zgjedhur kultivimin e tyre si mënyrën më të dobishme në aktivitetin e përditshëm bujqësor. Gjë e cila vlen të thuhet për shembull edhe për ullirin, që po njeh një shtim të sasive të mbjella të tij në rang vendi nga viti në vit. “Në vitin 2016 u prodhuan 99075 ton ullinj duke pësuar një rritje në nivelin prej 3.2% krahasuar me një vit më parë”, cilësojnë ekspertët rreth kësaj. Kundrejt një zbehje të dukshme të kultivimit të drithërave në rang vendi, për të cilat duhet thënë se prej disa vitesh paraqiten “në vend numëro”. Konkretisht, nëse u referohemi shifrave, rezulton se sasia e totale e drithërave që janë mbjellë në rang vendi ka qenë gati e njëjtë gjatë tyre; 143 mijë hektarë në vitin 2012, 142 të tilla në vitin 2013, sërish 143 në vitin 2014, sërish rënie deri në 142 hektarë në vitin 2015, për të patur vetëm një rritje modeste me vetëm 5 mijë hektarë tokë të mbjellë me to gjatë vitit të kaluar. Dukuri kjo që reflektohet kryesisht në produktin e grurit, i cili duhet thënë se gjatë viteve të fundit po mbillet pak, krahasimisht me nevojat e shtuara të popullatës. Ku këto të fundit, arrijnë të kompensohen me shtimin e sasive të importuara të tij prej vendeve të tilla si Serbia, Ukraina etj.
Juglindja kultivon më shumë pemë frutore se zonat e tjera
Korça, Elbasani, Fieri apo Berati, janë qarqet e vendit, ku banorët e tyre kultivojnë më shumë pemë frutore se ata në zonat e tjera të vendit. Një dukuri e tillë konfirmohet nga vetë të dhënat e ministrisë së Bujqësisë, sipas të cilave, një dukuri e tillë është më e vakët në qarqe të tilla si Gjirokastra, Lezha dhe Vlora, të cilat shënojnë nivelet më të ulëta të prodhimit të pemëve frutore në rang vendi. Më tej, ekspertët sqarojnë se pemët frutore si të tilla kanë njohur një shtim të tyre gjatë viteve të fundit në rang vendi, duke treguar një interesim të dukshëm të fermerëve ndaj tyre, shumë prej të cilëve, i përdorin prodhimet e tyre edhe për eksport ndaj vendeve të tjera jashtë Shqipërisë. “Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2016 ishte në total 261.754 ton dhe u karakterizua nga një rritje e tij në nivelin prej 7.6% krahasuar me një vit më parë”, vlerësojnë më tej ata.
Arrorët, janë shtuar çdo vit pas subvencionimit
Politikat e subvencionimit të arrorëve nga qeveria, ndërmarrë disa vite më parë, duket se ka ndikuar në shtimin e sipërfaqeve në rang vendi me to. Këtë e faktojnë edhe shifrat më të fundit të publikuara nga ministria e Bujqësisë, sipas të cilave rezulton se ndërsa në vitin 2012 (një vit para nisjes së politikave të lartpërmendura), në Shqipëri rezultonin të mbjella 410 mijë hektarë me arrorë, vitin e kaluar kjo sasi arriti deri në 420 mijë hektarë. Rritje kjo më e dukshme sidomos në disa qarqe të caktuara të vendit, si ai i Fierit, deri në 91 mijë hektarë; apo ai i Elbasanit deri në 52 mijë hektarë etj. Ndërsa qarqet ku mbillen më pak arrorë rezultojnë se janë ai i Kukësit dhe i Vlorës, respektivisht me nga 13 dhe 15 mijë hektarë në totalin e tyre.
Duhani në rënie gjithmonë dhe më të madhe, pak interes nga fermerët ndaj tij
Duhani, kjo kulturë e njohur bujqësore për vendin tonë gjatë sistemit të kaluar komunist, duket se po zhduket dalëngadalë nga tokat e fermerëve shqiptarë. Këtë e tregojnë shifrat gjithmonë e më shumë në rënie të mbjelljes me të, madje edhe në ato zona, ku duhani dikur ka qenë “lavdia” e tyre. Kështu, sipas tyre, tregohet se nëse në vitin 2012, në rang vendi ekzistonte (të paktën zyrtarisht) një sasi totale e mbjellë prej 1.3 mijë hektarësh duhan, gjatë vitit të kaluar, ajo u reduktua deri në 1.1 të tilla. Për të treguar qartë në këtë mënyrë interesimin gjithmonë ë e më të paktë të fermerit shqiptare ndaj tij, teksa individit shqiptar ky produkt tashmë i vjen me një kosto më të ulët i importuar nga jashtë.
Vetëm çereku i tokës në Shqipëri është bujqësore, pjesa më e madhe janë pyje
Vetëm çereku i tokës në Shqipëri rezulton se është bujqësore. Kjo konfirmohet nga vetë dikasteri i Bujqësisë, sipas të cilit, pjesa më e madhe e tokave në këtë vend rezulton se janë të zëna nga pyjet. Konkretisht, në shifra, strukturat e tokës në rang vendi rezulton se është në nivelin prej 24% në atë që ekspertët e cilësojnë si “tokë bujqësorë”; rreth 17% e saj në livadhe dhe kullota, ndërsa 23% cilësohet si tokë “tjetër”. Kurse sa i përket nivelit të pyjeve që ato zënë në shtrirjen hapësinore të vendit tonë, ai rezulton të jetë deri në shifrën prej 36% të saj. “Drithërat kryesore të kultivuara në vendin tonë janë gruri, misri, elbi, thekra dhe tagjirat”, thuhet më tej në lidhje me “tokën bujqësore” nga ekspertët.