Një shtetas shqiptar është arrestuar pasi në orët e para të mëngjesit të së premtes tentoi të futej në një stacion policor në Gjermani, në qytetin Linz, me hanxhar në dorë.
Sipas mediave gjermane, ngjarja po hetohet si sulm terrorist, pasi shqiptari, i cili raportohet të jetë 29 vjeç, në momentin kur tentoi të futej në stacion po bërtiste “Allahu Akbar”.
“Bild” raporton se prokurori i Përgjithshëm i Koblenz-it, Harald Kruse, është i bindur për këtë dhe po heton “vrasje të mbetur në tentativë”.
Shqiptari, i cili jeton në qytetin e vogël të Linzit (rrethi Neuëied/6500 banorë), ka shkuar në këmbë drejt stacionit “Am Konvikt” të premten rreth orës 2:40 të mëngjesit.
“Aty ai vazhdimisht bërtiste ‘Allahu Akbar’ dhe tha se donte të vriste policët”, citohet Kruse.
Ajo që njeriu hanxhar me sa duket nuk e priste ishte se për të shkuar në polici do t’i duhej të kalonte nga një derë e dytë që mund ta hapte vetëm personi që bënte roje.
Oficeri arriti të mbyllte derën e jashtme duke e bllokuar shqiptarin mes dy dyerve.
Ai u neutralizua me elektroshok dhe u arrestua.
“Hetimet fillestare kanë zbuluar prova se ai ishte i motivuar nga radikalizmi islamik, prandaj çështja u mor përsipër nga Zyra Qendrore e Shtetit Rhineland-Pfalz për Luftën kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit në Prokurorinë Publike të Koblenz-it”, tha prokurori Kruse.
“Pas kontrolleve në banesën e shqiptarit, u gjet një flamur i organizatës terroriste jashtë vendit “Shteti Islamik” i vizatuar në një mur”.