Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi do të mbahen mend për faktin se partia URA (Aksioni i Bashkuar Demokratik), e udhëhequr nga shqiptari Dritan Abazoviç, do të vendosë se kush do të formojë qeverinë në këtë vend. Koalicioni i Serbisë së Madhe për Ardhmërinë e Malit të Zi tashmë ka njoftuar se do të formojë një qeveri dhe se partneri i saj kryesor i koalicionit do të jetë partia shqiptare e Dritan Abazoviçit.
34-vjeçari drejton partinë URA, që me koalicionin “E zeza në të bardhë” në këto zgjedhje u rendit në vend të katërt, duke siguruar 4 deputetë.
Katër votat e partisë së tij janë vendimtare për krijimin e qeverisë së re, pasi koalicionet e mëdha, ai pro-perëndimor i Milo Gjukanoviçit dhe filo-serbi i Zdravko Krivokapiçit nuk i arritën të 41 vendet e nevojshme për formimin e qeverisë.
Vetë Abazoviç e ka të qartë rolin përcaktues që ka se nga cili krahë do të anojë barra e pushtetit këtë herë. Ndryshe nga shumica e shqiptarëve apo pjesëtarët e pakicave të tjera të Malit të Zi, ai është themelues dhe drejtues i një partie që nuk tërheq elektorat mbi kufij etnikë. Partia URA e krijuar 4 vite më parë bazohet tek vlerat europiane pro-perëndimore dhe tek parimet e të gjelbërve europianë.
Pjesë të saj ka pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike, përfshirë malazezët, serbët e boshnjakët. Por kushti i Abazoviçit është që qeveria e ardhshme të përbëhet nga ministra ekspertë dhe të mos ketë devijim nga drejtimi europian.
“Ne thamë se do të shkruajmë histori dhe e bëmë. Ne e dinim se do të ishim ndërrues të lojërave. Mali i Zi meriton të udhëhiqet nga një qeveri me ekspertë. Kush dëshironte lirinë, e mori atë”, tha Abazoviç.
Megjithatë, partia Ura nuk është shumë pranë Gjukanoviçit pasi është e përbërë nga figura të larguara nga Demokratët Socialistë me kalimin e viteve.
Kush është Abazoviç
Abazoviç është një emër relativisht i panjohur për publikun e gjerë. Ai ka qenë në krye të URA që nga prilli 2017 dhe në Mal të Zi shqua për qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë së Milo Gjukanoviçit, megjithëse nuk kurseu as opozitën pro-serbe.
Abazoviç është një shqiptar etnik nga Ulqini, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Ai u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, Departamenti i Shkencave Politike, ku ishte gjithashtu fitues i “Shenjës së Artë” dhe “Kartës së Artë” të Universitetit të Sarajevës.
Ai mori gradën master në 2008 në Fakultetin e Shkencave Politike, Universiteti i Malit të Zi, drejtimi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ai mori doktoratën në 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike, Universiteti i Sarajevës.