Aktualitet Shqiptari rrëfehet për vrasjen e bashkëkombasit në Islandë

Shqiptari rrëfehet për vrasjen e bashkëkombasit në Islandë

Angjelin Stërkaj, autori i vrasjes së Armando Beqirit në 13 Shkurt të këtij viti në Islandë, ka pranuar ekzekutimin e bashkëkombasit të tij. Para oficerëve të policisë ai ka treguar se e ka vrarë për arsye personale mes tij dhe të ndjerit. Stërkaj theksoi se personat e tjerë të arrestuar nuk kanë lidhje me ngjarjen, pasi ka vepruar i vetëm. Sipas mediave islandeze, vrasja e Beqirit dyshohet se ka nisur si mosmarrëveshje mes dy grupeve kriminale.

Pavarësisht se ai e ka pranuar vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar, ende nuk ka një akuzë të ngritur ndaj, tij pasi vijojnë kërkimet për gjetjen e armës së krimit. Natën e krimit është gjetur një armë, por nuk dihet kujt i përket. Ajo është dërguar në laborator për të mësuar nëse është përdorur për të qëlluar natën kur u regjistrua vrasja e Beqirit. Nëse deri në 15 Maj nuk do i komunikohet asnjë akuzë, 35-vjeçari Stërkaj do të lirohet nga paraburgimi.

Policia islandeze ka ngritur dyshimet për një rrezik të mundshëm hakmarrjeje dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar. Ata rezultuan të jenë partnerë biznesi të të ndjerit dhe sipas policisë dyshohen se do hakmerren për vrasjen e Beqirit.

Beqiri u vra pak minuta para mesnatës së 13 Shkurtit, pasi parkoi makinën e tij në garazh dhe po i drejtohej derës kryesore të banesës. Ai mori më shumë se 5 plumba, duke ndërruar jetë në vend pavarësisht përpjekjeve të familjarëve që e dërguan me urgjencë në spital.