Kuksiania e quajtur Arta Cika është përzgjedhur në 100 gratë e “TechWoman100” në Angli.
Arta është studente e Shkencave Inxhinierike në Universitetin e Oksfordit.
Pasi është vlerësuar me këtë çmim, ajo ka vendosur t’ia dedikojë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri, duke bërë një status emocionues:
“Ndjehem shumë e vlerësuar dhe krenare që jam zgjedhur si një nga 100 fitueset e çmimit ‘TechWomen100’ për vitin 2019 ne Mbretërinë e Bashkuar (UK). Dua të falënderoj nga zemra Jurinë Teknike që më zgjodhi, të gjithë publikun në mbarë botën e veçanërisht atë shqiptar që më votuan. Jam shumë e lumtur për të gjitha mesazhet, vlerësimet dhe mbështetjen që më keni dhënë këto javë.
Kujtimet e mia shkojnë mbrapa tek fëmijëria ime, kur isha një vajzë e vogël që i pëlqente të luante futboll ne rrugët e Kukësit po me ëndrra të mëdha. Do doja shumë të kthehesha mbrapa në kohë, të takoja atë vajzë luftarake dhe ti thoja që ‘Vazhdo ëndërro fort. Asgjë nuk do të të ndalojë që të arrish synimet e tua.’
Dhe ky është një mesazh që dua tua them të gjithë vajzave të vogla në mbarë botën. Mos e konsideroni inxhinierinë si një ‘profesion burrash’, dhe mos kini frike nga e panjohura. Puna gjithnjë shpërblehet.
Falë punës time 10 vjeçare dhe mbështetjes së madhe nga familja ime, që ka qenë gjithmonë krahu im i djathtë, jam sot këtu e kjo me jep forcë për të vazhduar përpara. Pa mbështetjen e tyre, asgjë nuk do të kishte qenë e mundur.
Ne fund, do doja t’ia dedikoja këtë çmim vendit tim të dashur, Shqipërisë, ku linda u rrita e mora dijet e para dhe të gjithë njerëzve në veçanti atyre të prekur nga tërmeti. Siç thotë edhe shprehja: ‘Supet e maleve dhe supet e shqiptareve nuk janë kërrusur kurrë’. Vazhdoni të qëndroni të palëkundur. Jam pranë jush. Jemi të gjithë shqiptarët bashkë anembanë botës. Kjo na jep forcë e na bën krenarë. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar ajo.