Politika “Shqyhem në dysh që ca të flenë në puplat e korrupsionit?” Rama...

“Shqyhem në dysh që ca të flenë në puplat e korrupsionit?” Rama iu përgjigjet akuzave se kontrollon SPAK-un

Në fjalimin e tij para deputetëve dhe kabinetit qeverisë, kryeministri Edi Rama u ndal tek reforma në drejtësi.

Rama iu ktheu përgjigje akuzave se ai kontrollon SPAK-un.

Për këtë pati tri argumente.

“Por sot nuk është më si dikur. Sot çdo dikush para ligjit nuk është askush më shumë sesa një qytetar si gjithë të tjerët siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Ka disa që thonë që unë nuk e paskam menduar që do të vinte kjo ditë kur i hyra me ju bashkë këtij deti në këmbë, “reformën ma imponuan ambasadorët dhe ne nuk kishim nga luanim”. Më të fantaksurit thonë që SPAK-u bën çfarë i them unë. E para unë mund të mos jem shumë i zgjuar, por edhe kaq fare idiot sa të shkoja derë më derë sa në Berlin e sa në Bruksel për të kërkuar aleancë për vetingun të cilin në ato fillime as në Berlin e as në Bruksel nuk e pranonin se e konsideronin si shkelje të drejtave të fituara. Pastaj në Uashington për të kërkuar aleancë për krijimin e FBI-së shqiptare, BKH dhe vetë SPAK-u. Le t’i hapin kartat. BKH është në programin tonë të vitit 2009. E më gënjente mendja që do shembja me ndihmën e aleatëve strategjikë një pallat drejtësie që i kishte themelet në llumin e 100 kusur viteve pandëshkueshmërie për pushtetin politik që të ngrija një pallat të ri drejtësie tek oborri i PS?

E dyta, si na e imponuan reformën në drejtësi ambasadat, Amerika, Europa, Hëna, Marsi, kur ne na u desh shumë kohë për t’i bindur vetë ata në radhë të parë për domosdoshmërinë e këtij ushtrimi shumë të paparashikueshëm që donin të bënim dhe patjetër për t’i bindur që vullneti ynë ishte pavarësimi i pushtetit politik, i drejtësisë nga pushteti politik më saktë. Po ku bënte vaki, si mund të bënte vaki që të shkruheshin ato analiza, drafte, stërdrafte bashkë me ekspertë ndërkombëtare po të mos ishte vullneti i hekurt i PS-së dhe vendosmëria për të mos u tërhequr edhe nën presionin real konkret, duke parë detin para gjirit të Lalëzit, që do prishej koalicioni qeverisës se edhe sikur të vinte flota e 6 amerikane në Lalëz nuk kalonte reforma në drejtësi. Dhe nga ana tjetër si do ndodhte kjo nëse ne nuk do ishim vendosur që mos të dëgjonim asgjë, asnjë, madje edhe zëra brenda nesh, jo më të tjerë që thoshin ore e kuptoni që kështu do ikim për lesh. Në kuptimin që e kuptoni që kështu nuk do të jemi më ne ata që vendosin ditën dhe natën se kur zbardh dhe kur ngryset. Këto janë faktet. E çdo bënin ambasadat, e çdo bënte Amerika bashkë me Europën nëse edhe ne do ishim si të gjithë të tjerët bashkë me të gjithë tjerët dhe do ishim për zhvillimin gradual siç na thonin ata kur unë shkoja nga kancelarja gjermane në zyrat e Brukselit, në zyrat e Uashingtonin dhe unë i thosha, ne duhet të bëjmë tërmet.

E treta dhe kjo është më e rëndësishmja, kush thotë që e kontrolloj unë SPAK-un, mirë që nuk ka provë se prova është gjë e madhe apo argument, ka një problem më të madh se nuk ka sesi ta pranojë e as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë vetëm për të ndryshuar dhe kthyer përmbys çfarë të mundet nga karakatinat e së shkuarës së largët e të afërt. E tregon historia ime politike. Sa të mundem. Në çdo sektor, në çdo drejtim, ku të mundem. Merr e kthe përmbys. Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, bëhen kryetarë bashkie, bëhen kryetarë partie, bëhen kryeministra që në rastin më të mirë ikin e nuk lenë gjurmë, ndërsa në rastin më të keq shikoi i keni live, çdo sabah e çdo aksham bëhen për të ardhur ke. Për çfarë më duhet kontrolli i SPAK? Që unë të shqyhem në dysh ditë natë në krye të punës që shumica në këtë familjen tonë politike të bëjnë punën e tyre me aq sa munden, që disa këtu t’i lënë fëmijët në gjumë e ti lenë në gjumë, madje edhe kur janë nëna, pa llogaritur çfarë balte dhe çfarë ujërash të zeza na përplasen çdo ditë në sy e ndërkohë, ta kontrolloj SPAK-un që ndonjë mes nesh, ca rrotull nesh, të tjerë poshtë nesh të flenë rehat mbi dyshekët e mbushur me puplat e korrupsionit? Çfarë muhabeti është ky? Ku lidhen këto të dyja? Nuk iu vë faj për asgjë që thonë ditë natë se po të ishit në vendin tim do bënin gjërat për të cilat më akuzojnë, dhe na akuzojnë ne siç i kanë bërë ata që kur ishin në vendin tim dhe kur ishin në pozicionin tonë shkelin me këmbë këdo, fusnin duart kudo dhe ja ku janë sot, gazi i botës, me gojën çapraz kundër korrupsionit dhe me çaprazin në bigën e drejtësisë për korrupsion”, tha Rama.