Një shtatore 3 metra e lartë, që përjetëson imazhin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka mbërritur dje në Itali.
Me nismën e shoqatës “Hora e Skënderbeut“, shtatorja është dhuratë e emigrantëve shqiptarë për arbëreshët.
Lajmin e bën të ditur Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.
Shtatorja gjigande është vepër e skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi. Ajo do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Siçili.
Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të ngulimit, i cili daton që nga viti 1488.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë përsipër financimin e transportit, ndërsa stafi i saj ndihmoi në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit italian.
Shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore.