Një “fermë bari” që përdorej për kultivimin e lëndëve narkotike, është zbuluar nga policia në Shkodër në fshatin Jeran.
Kanabisi kultivohej në bodrumin e banesës së pronarit Gjovalin Vuksanaj, 55 vjeç, i cili e kishte përshtatur ambientin, duke vendosur 63 llamba elektrike dhe baza të tjera materiale.
Kanabisi ishte kultivuar në vazo dhe gjatë aksionit u sekuestruan 139 kg lëndë narkotike dhe 132 fidanë.
Policia mundi të arrestonte 42-vjeçaren Mariana Vuksanaj, ndërsa bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesë në momentin e aksionit.
Por si ra policia në gjurmët e çiftit që kultivonte kanabis në bodrumin e shtëpisë së tyre?
Një kontroll i ndërmarrë në fshatin Jeran të Malësisë së Madhe për të zbuluar lidhje energjetike të paligjshme, çoi policinë në banesën e Vuksanajt. Burrë e grua kishin përshtatur bodrumin në një “shtëpi bari” të mirëfilltë. Dera e bodrumit ishte fshehur pas shkallëve.
Kur policia ka hequr shkallët lëvizëse, ka zbuluar derën që të çonte drejt një ferme kanabisi. Poshtë policia zbriti me shkallë druri dhe u habitën kur zbuluan thasët e zinj me kanabis gati për t’u shitur.
Energjia elektrike e konsumuar i ka bërë të dyshojnë agjentët anti-drogë, pasi për të rritur kanabisin në ambiente të brendshme është e nevojshme shumë energji.
Prej ditësh policia dhe OSHEE ka ndërmarrë një aksion në qarkun e Shkodrës për evidentimin e subjekteve të cilat kryejnë lidhje të paligjshme energjie.