Një godinë ikonë e San Françiskos ndryshoi “adresë”, duke u spostuar për disa blloqe banimi. E tërhequr nga një kamion, shtëpia e epokës Viktoriane është një prej më të famshmeve në qytet. Vendasit u rreshtuan të gjithë në krahë të rrugës për të parë momentin e veçantë.
Ishte hera e parë në 50 vite që një shtëpi e tillë epoke ndryshonte adresë, sipas Shoqërisë Historike të San Françiskos. Për shkak të madhësisë, punëtorëve iu desh të prisnin disa degë pemësh dhe të hiqnin disa tabela rrugore, për të lehtësuar kalimin e shtëpisë.
Lëvizja e shtëpisë planifikohej prej 9 vitesh, raporton media lokale “San Francisco Chronicle” dhe për ta realizuar u mor leje në 15 agjenci të ndryshme lokale, ndërsa pronari, Tim Brown, ka shpenzuar 400 mijë dollarë për këtë operacion.
E ndërtuar në vitin 1882, shtëpia ishte lënë në harresë për shumë vite. Në vitin 2013, Brown e bleu për 2,6 milionë dollarë.