Kryeministri britanik Boris Johnson u lejua të dalë nga spitali dhe do të vazhdojë regjimin për të trajtuar COVID-19 te banesa zyrtare, në Chequers.
“Chequers” është banesa zyrtare në fshat ku qëndrojnë kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar. Origjinën e ka që nga shekulli i 16-të, por i është nënshtruar shumë modernizimeve.
Rezidenca është 64 km larg Londrës, dhe ka shërbyer si reszidencë e kryeministrave që nga vii 1921.
55-vjeçari Boris Johnson qëndroi i shtruar për një javë, pas shfaqjes së simptomave të vazhdueshme të COVID-19.
Ai u shtrua më 5 prill për probleme me frymëmarrjen dhe më 6 prill u mbajt në terapi intensive.
Pasi doli nga spitali, kryeministri falënderoi mjekët dhe tha se i kishin shpëtuar jetën.
Në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 737 viktima. Ky është numri më i lartë i vdekjeve në Evropë për 24 orët e fundit.
Numri total i viktimave në Mbretërinë e Bashkuar arriti 10,612. Numri i të infektuarve pati rritje, gjithashtu, duke e çuar totalin në 84,279.
Covid-19 vijon përhapjen në të gjithë botën. Totali i të infektuarve ka kapur shifrën e mbi 1.8 milionë dhe numërohen mbi 113 mijë të vdekur.