Një ministër i qeverisë britanike deklaroi të dielën, se shtëpitë e oligarkëve ruse të sanksionuar nga qeveria mund të përdoren për strehimin e refugjatëve ukrainas të larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Në një intervistë për mediat, ministri Michael Gove u shpreh se po shqyrton mundësinë që këto banesa luksoze të shërbejnë për këta njerëz për sa kohë që këta oligarkë të jenë të sanksionuar.
“Nuk po them që të konfiskohen këto prona. Por për sa kohë që jeni të sanksionuar dhe mbështesni Putin, nuk keni të drejtë të përfitoni nga këto prona dhe për këtë arsye do i vëmë në shërbim të të tjerëve”, sqaroi Gove.
Ministri tregoi se qeveria po mendon të forcojë më tej masat për të mos lejuar oligarkët rusë që jo vetëm mos i shesin këto banesa, por as mos jetojnë në to.