Bashkimi Europian përditësoi listën e vendeve të sigurta nga Covid-19, jashtë së cilës mbeti sërish Shqipëria.
Shqiptarët nuk lejohen të udhëtojnë në Hungari, Islandë, Luksemburg, Hollandë, Rumani, Spanjë, dhe Suedi, sipas përditësimit të datës 31 korrik nga vendet e Bashkimit Evropian, bazuar në gjendjen e Covid-19 në vend.
Mund të udhëtojnë lirisht në Poloni dhe në Portugali, pa detyrimin e kryerjes së testit Covid-19 dhe pa karantinim, për të gjitha llojet e udhëtimeve.
Vendet e tjera të Europës i kanë hapur kufijtë për shqiptarët sipas rregullave të mëposhtme:
Në Greqi, lejohen kalimet për shqiptarët me dokumenta greke dhe udhëtimet e domosdoshme. Ndalohen udhëtimet turistike.
Në Itali, Lituani, Maltë, Norvegji, Sllovaki, Britani (deri në 31 gusht), Estoni dhe Finland lejohen kalimet, por me detyrimin e karantinim për 14 ditë.
Në 4 vende Austri, Bullgari, Francë dhe Gjermani lejohen udhëtimet duke treguar testin Covid-19 ose testin serologjik, 72 orë para udhëtimit, pa detyrimin e karantinimit.
Në Republikën Çeke dhe në Danimarkë lejohen vetëm udhëtimet e domosdoshme me detyrimin e paraqitjes së testit Covid-19.
Në Belgjikë dhe në Slloveni lejohen udhëtimet me detyrimin e paraqitjes së testit Covid-19 dhe karantinim për 14 ditë.
Në Kroaci lejohen udhëtimet nëse ke një prenotim në një hotel.
Në Qipro lejohen kalimet me test Covid-19, i cili mund të bëhet edhe në Qipro për rreth 60 euro. Udhëtarët që hyjnë në Qipro kanë detyrimin të izolohen derisa të dalë rezultati i testit.
Irlanda lejon udhëtimet nga Shqipëria por me detyrimin e plotësimit të një deklarate shëndetësore.
Secila nga vendet e BE-së mund të vendosë në mënyrë të pavarur, bazuar në situatën epidemiologjike, për hapjen ose mbylljen e kufijve me Shqipërinë.