Aktualitet “Shteti të financojë gratë e divorcuara”/ Fevziu për tragjedinë në Shkodër: Fëmijës...

“Shteti të financojë gratë e divorcuara”/ Fevziu për tragjedinë në Shkodër: Fëmijës nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën askush

Rasti i Shkodrës shkaktoi tronditje në gjithë opinionin publik, ku një nënë e re u vetëmbyt në lumin e  Bunës bashkë me 3 fëmijët e saj të mitur. Duke shprehur ngushëllimet për familjarët, gazetari Blendi Fevziu thekson në një video të ndarë në rrjetet sociale se ngjarje të tilla janë kthyer në një fenomen tejet shqetësues për shoqërinë tonë.

Mbi të gjitha ai thotë, se askush nuk ka të drejtë t’u marrë jetën fëmijëve. Përpos këtij mesazhi të fuqishëm ai u bën thirrje grave dhe burrave që në rast se martesa e humb funksionin e saj, zgjidhja më e mirë është divorci. E po ashtu apelon ndaj autoriteteve që të financojnë gratë e divorcuara.

Reagimi i plotë i Fevziut:

Një nënë e re i dha fund jetës së saj në mënyrën më tragjike të mundshme, duke marrë me vete dhe 3 fëmijët e saj të mitur. Përtej rastit dramatik të Shkodrës, përtej dhimbjes e trishtimit të secilit prej nesh, nuk është rasti i parë apo i ngjashëm që ndodh në Shqipëri apo me emigrantë shqiptarë  në botë, Nuk është hera e parë që një nënë merr me vete fëmijët për arsye të sherreve, xhelozisë, problemeve që ka me bashkëshortin në familje. Ka ndodhur vetëm  një herë që babai ka vrarë fëmijët, nga inati ose mëria sepse gruaja ka dashur të divorcohet dhe të ndërtojë jetën e saj. Duke qenë se këto nuk janë më thjesht raste, por një lloj fenomeni që shoqëron vazhdimisht shoqërinë shqiptare, do doja të përcillja disa mesazhe. E para, askush nuk ka të drejtë t’ju marrë jetën fëmijëve. Jeta e fëmijëve është e shenjtë, është e tyre, s’është as e babait, as e nënës, çfarëdolloj moshe qofshin ata. Askush nuk ka të drejtë ta ndërpresë jetën e tyre dhe kjo është absolute. E dyta, asnjë grua apo burrë nuk duhet ta mendojë divorcin si dramën më të madhe të jetës apo fundin e saj. Natyrisht martesa lidhet që të jetë sa më jetëgjatë, e përjetshme, por nëse një martesë nuk funksionon, divorci është një zgjidhje shumë herë më e mirë sesa dramat, krizat, dhuna apo çdo lloj tjetër forme që shoqëron një familje, të shkatërruar tashmë. Mbi të gjitha, një familje që mund të ketë një jetë dramatike për fëmijët. Nga ana tjetër do doja t’ju thoja autoriteteve shtetërore që është e domosdoshme që ato të ndërmarrin ç’është e mundur që gratë e divorcuara që shpesh herë nuk kanë mundësi ekonomike, të rrisin fëmijët e tyre, të jetojnë në shtëpi komunale pa qera. Fëmijët të kenë një lloj financimi derisa ato të integrohen në jetë. Divorci është traumatik edhe për burrat, por për gratë është shumë herë më i vështirë. Edhe burrat duhet ta kuptojnë që një familje e shëndoshë nuk mund të funksionojë kurrë në kushtet e dhunës. Pra, insistoj edhe një herë. Nëse doni që shoqëria jonë të jetë e shëndoshë, nëse doni që të mos shkatërroni jetën tuaj, të afërmve tuaj dhe mbi të gjitha të fëmijëve tuaj, mundohuni ta kuptoni që një familje e shëndoshë është një familje që funksionon. Nëse nuk funksionon, divorci është zgjidhja më e mirë! Fëmijës nuk ka të drejtë t’ja marrë jetën askush!