“Ne i marrim të vogla nuset e i mësojmë, e kemi ofendim po qe e madhe” kështu tha gjyshja e Dritson Kurtit në një intervistë për mediat.
21-vjeçari Kurti është arrestuar ditën e djeshme pasi e mitura, gruaja e tij 14-vjeçare është bërë nënë.
Në intervistë gjyshja e Dritson Kurtit tha se komuniteti rom e ka në traditë martesën në moshë të vogël dhe se për ta është ofendim të jetë nusja e madhe, pasi e marrin të vogël që ta mësojnë vetë.
“Ne kurbetët e kemi traditë martohemi shpejt, 12-13 vjeç, tani paskan nxjerrë ligj. Ne e kemi traditë, po u rrit çupa nuk e marrim ne. E kemi ofendim. Ne kërkojmë ndihme për djalin, e morën sepse çupa është e vogël. Unë me pension, ai punonte. Atje ne komunale, tek plehrat. Mban gruan e fëmijët. E ëma i vdiq. Tani të mendoje qeveria, ç’janë këto ligje? Tani kanë dalë? Ne kemi vite martohemi të vegjël. Tani nxorën ligje qeveria? Te ne kurbetët do futet qeveria? Ne i marrim të vogla nuset e i mësojmë. Nuk i marrim të mëdha, e kemi për ofendim po qe e madhe“, tha Fidarie Kurti, gjyshja e 21-vjeçarit.
Babai i të miturës është shprehur gjithashtu i mërzitur nga arrestimi i dhëndrit të tij.
“Janë bërë martesa, është bërë me kalama. Ne jemi rom, kështu e kemi. Pse ma morët dhëndrin? Ne u martuam me dashuri me harmoni. E keni marrë kot se koti. Lirojeni një orë e më parë. Kjo është vajza ime. E mori me dashuri me harmoni, pse na ndërhyni ne gabelëve? Nuk e mori me zor, e mori me dëshirë. Mos hyjë shteti në punët tona. Lirojeni sa më parë. Të me dëgjojnë. Dua të me lirohet dhëndri, të gëzojë fëmijën”, tha ai.
E mitura shprehet se ka një vit e martuar, ndërsa më herët kishte jetuar në Elbasan. E mitura gjatë intervistës ka kërkuar, ndërsa qante lirimin e bashkëshortit të saj duke u shprehur se e do.
“Jam 14 vjeç. Kam një vit që jam martuar. Më para jetoja në Elbasan. Bashkëshortin e arrestuan dje, se kam lindur e vogël. Dua ta lirojnë. E dua”, tha e mitura ndërsa qan.