Italia vendos sot një shtetrrethim të përgjithshëm dhe një rikufizim në disa prej rajoneve të saj, në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë shqetësohet për një shpërthim të rasteve me COVID-19 në Europë, dhe kur SHBA-ja ka regjistruar një numër rekord kontaminimesh.
SHBA-ja mbetet vendi më i prekur në botë nga pandemia me 234 876 të vdekur. Një rekord me më shumë se 120 000 raste pozitive me COVID-19 u regjistrua gjatë 24 orëve të fundit, sipas universitetit, Johns Hopkins.
Rriten rastet në Itali
Gjithmonë e në rritje bilanci italian i pandemisë së koronavirusit. Autoritetet deklaruar sot 37809 të infektuar të rinj, numri më i lartë deri më tani, ndërkohë që dje ishin 34505 raste.
Viktimat sot ishin 446, një më shumë se dje, dhe raporti raste pozitive/tamponë është rritur në 16,14%.
Në Itali, një shtetrrethim kombëtar nga ora 22:00 deri në orën 05:00 hyn sot në fuqi deri më 3 dhjetor.
Gjimnazet kalojnë në mësimin në distancë dhe muzetë janë mbyllur, gjithashtu edhe qendrat tregtare gjatë fundjavës.
Përveç kësaj, zonat e kuqe të reja si Lombardia, Piemonte, Valle d’Aosta dhe Kalabria – janë deklaruar “në rrezik të lartë” dhe 16 milionë italianë po i kthehen kufizimeve, megjithatë më të lehta se ato të pranverës së kaluar.
Spanja regjistron numrin më të lartë të vdekjeve që nga prilli
Spanja regjistroi sot rritjen më të lartë të vdekjeve të nga koronavirusi (COVID-19) që nga fundi i prillit, me 368 viktima, konfirmoi Ministria spanjolle e Shëndetësisë.
Numri i të vdekurve në vend është afro 38 500 persona.
Vdekjet ditore janë larg pikut që u shënua gjatë pranverës, kur regjistroheshin deri në 950 viktima në ditë, por disa pjesë të vendit që relativisht raportonin shifra të vogla gjatë valës së parë tani po raportojnë numër rekord të vdekjeve.
Sot, Asturias dhe Murcia arritën numrin më të lartë të vdekjeve ditore që nga fillimi i pandemisë, ndërsa Andaluzia theu rekordin e saj për valën e dytë dhe tani ka raportuar më shumë vdekje në javën e fundit se çdo pjesë tjetër e Spanjës.
Nga ana tjetër, Madridi, i cili ishte prekur rëndë në pranverë dhe në fillim të vjeshtës, ka arritur të ulë numrin e infeksioneve të reja nën mesataren e Spanjës.
Në shkallë kombëtare, Spanja sot raportoi afër 22 000 infeksione të reja.
“Ky është afati kohor gjatë të cilit ekspertët thonë se do ta tejkalojmë pjesën më kritike të pandemisë. Dhe kur të kalojnë këta gjashtë muaj, fushatat e vaksinave mund të jenë gati, së bashku me ndryshimin e motit”, shtoi Sanchez.
Përballur me një rrezik mbingarkesë të spitaleve, Greqia u detyrua të rikufizohet për tre javë.
Këto javët e fundit, Europa është epiqendra e epidemisë, rajon i botës ku koronavirusi po përhapet me shumë shpejtësi dhe që prej së enjtes, ka regjistruar shumë kontaminime.
“Ne po shikojmë një shpërthim të përhapjes së COVID-19, me një milionë raste shtesë vetëm në disa ditë në Europë dhe po vërejmë një rritje të numrit të vdekjeve”, nënvizoi Hans Kluge, drejtor i OBSH për Europën.
“Me mbajtjen e përgjithshme të maskës dhe një kontrolli strikt të grumbullimeve ne mund të shpëtojmë më shumë se 261 000 jetë deri në shkurt në Europë”, theksoi ai.