Ekonomi Shtimi i konkurrencës, ulen çmimet e biletave në aeroportin e Rinasit

Shtimi i konkurrencës, ulen çmimet e biletave në aeroportin e Rinasit

Çmimet e biletave në aeroportin “Nënë Tereza” janë ulur ndjeshëm. Shkak është bërë shtimit i konkurrencës, pas hyrjes së kompanive ‘low cost’ dhe zgjerimit të destinacioneve.

Vetëm me 20 euro kushton një biletë nisjeje drejt Italisë, ndërsa drejt qyteteve gjermane nga 15-30 euro.

Ndërkohë edhe për destinacionet më të largëta, si Abu Dhabi, biletat kushtojnë nga 30 në 80 euro në një drejtim.

Këto çmime u janë referuar datave në fund të vitit, ku biletat përgjithësisht janë më shtrenjtë dhe muajit shkurtit (rreth datave 19-24), kur biletat janë përgjithësisht më të lira.

Italia

Bileta vajtje-ardhje për datat 25-28 dhjetor drejt Milanos kushton 60 euro me ‘Wiiz Air’. Në shkurt, kur fluksi i lëvizjeve është më i ulët, çmimet ulen në 20 euro vajtje dhe 20 euro kthim.

Por, çmimet e bilave drejt Romës janë më të shtrenjta edhe me Wizz Air, pasi dhe udhëtimet nuk janë të përditshme. Për në kryeqytetin italian, vajtja në 23 dhjetor kushton 28 euro, por kthimi është më i shtrenjtë në 145 euro. Por në shkurt, biletat luhaten në rreth 70-120 euro vajtje-ardhje.

Ndërsa me ‘Air Albania’, nga Tirana në Romë në 24 dhjetor bileta kushton 50 euro dhe kthimi në 29 dhjetor është 99 euro.

Londra

Vetëm për 65 euro mund të udhëtosh drejt Londrës në 23 dhjetor me linjën ‘Wizz Air’, ndërsa kthimi në 29 dhjetor është minimumi 100 euro.

Stamboll

Në fund të dhjetorit, bileta nga Tirana në Stamboll me ‘Air Albania’, kushton 53 euro. Ndërsa me “Pegasus”, udhëtimi drejt Stambollit në 24 dhjetor kushton 90 euro dhe kthimi në 27 dhjetor vetëm 45 euro.

Vjena

Një bileta vajtje në Vjenë me linjën ‘Wizz Air’, kushton 35 euro në datën 24 dhjetor, ndërsa kthimi në 27 dhjetor është 110 euro. Ndërsa me “Austrian Airlines”, në dhjetor biletat kushtojnë nga 97 euro një drejtim.