Mali i Zi ka mbyllur sërish kufijtë tokësor me Shqipërinë. Shkak është bërë përkeqësimi i situatës së koronavirusit në vendin tonë dhe shtimi i numrit të të infektuarve.
Lajmin e bëri të ditur Ministria jonë e Punëve të Jashtme e cila thekson se vendimi është marrë nga Njësia Operacionale e Krizës së Qeverisë së Malit të Zi.
“Nisur nga numri në rritje i shtetasve të infektuar aktiv në vendin tonë, që aktualisht e kalon numrin 700 (limit ky i vendosur më parë nga autoritetet malazeze dhe që e kalon shifrën 25 të infektuar për 100.000 banorë), autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokësorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që prezantojnë në kufi dokumentin e testimit negativ ndaj COVID-19, të bërë brenda 48 orëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ky regjim fillon prej mesnatës të së dielës, datë 21 qershor 2020, dhe është i vlefshëm deri në një vendim të dytë të Njësisë Operacionale të Krizës në Podgoricë.