Autorët e krimeve seksuale, të dënuar për përdhunim në mënyrë përsëritëse do të kastrohen kimikisht në Pakistan.
Parlamenti në këtë vend miratoi një ligj të ri që ka si synim të përshpejtojë dënimet për këto krime dhe t’i bëjë ato më të forta. Reagimi i autoriteteve erdhi pas disa protestave të mëdha në vend pas shtimit të rasteve të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Ligji parashikon që qeveria e Pakistanit të krijojë gjykata speciale në nivel kombëtar për të përshpejtuar gjykimet e përdhunimit dhe për të siguruar që rastet e abuzimit seksual të zgjidhen shpejt, mundësisht brenda katër muajve.
Kastrimi kimik, një përdorim i drogave për të reduktuar aktivitetin seksual, është i ligjshëm në disa vende duke përfshirë këtu Korenë e Jugut, Poloninë, Republikën Çeke dhe disa shtete të SHBA-së.