Shpërthimi i rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ditët e fundit ka detyruar Greqinë të shtyjë planet për rihapjen e kufijve tokësorë në veri.
Ministri grek i Turizmit, Charis Theocharis, konfirmoi se duke parë zhvillimet me epideminë me shtetet fqinje, do vlerësohet situata para rinisjes së udhëtimeve për turistët ballkanas.
Të hënën, në 14 pikat kufitare të Greqisë u lejuan të kalonin vetëm automjetet nga Bullgaria.
Ndërkohë të martën, situata me virusin u përkeqësua në Maqedoninë e Veriut me 103 raste të reja dhe në Shqipëri, 82 raste të reja brenda një dite.
Sipas ministrit grek, fluturimet nga Shqipëria drejt Athinës do lejohen gjatë këtyre dy javëve vetëm për qëllime specifike dhe janë ndaluar ato drejt aeroportit të Selanikut, ndërsa kufijtë tokësorë deri më 30 qershor do operojnë vetëm për udhëtimet për qëllime biznesi.
Në varësi të situatës me epideminë në Shqipëri, kufiri jugor me Greqinë planifikohet të rihapet me Kakavijën nga 1 korriku.
Greqia një ditë më parë rinisi shumicën e fluturimeve ndërkombëtare me qëllimin për të shpëtuar industrinë e vet turistike.