Greqia raporton numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 që prej zbutjes së masave të kufizimit. 97 infektime të reja janë shënuar gjatë 4 ditëve të fundit, 52 prej të cilave në një ditë të vetme. Sipas autoriteteve, 30 nga të infektuarit kishin ardhur nga jashtë vendit, ndërsa 29 të tjerë i përkasin rajonit të Ksanthit, në verilindje të Greqisë.
“Të gjithë ata që mendojnë se e kishim hequr qafe virusin gabojnë. Ai është dobësuar por kjo nuk nënkupton se ka ikur. Mbrojtja civile u bën thirrje qytetarëve të mos e ulin vigjilencën, të zbatojnë rregullat e higjienës dhe distancimit social”, deklaroi kreu i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.
Autoritetet janë alarmuar për disa episode të shkeljes së rregullave në fundjavë. Një lokal i famshëm në Mikonos u urdhërua të mbyllë dyert për 60 ditë pasi nuk iu përmbajt masave të distancimit social për parandalimin e koronavirusit.
Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas paralajmëroi se do të rikthenin kufizimet në rajonet që shkelin rregullat. “Gjithçka është në tryezë, virusi nuk është zhdukur”, tha ai.
Deri më tani, Greqia e ka menaxhuar me sukses krizën shëndetësore dhe që prej zbulimit të rasteve të para në 26 shkurt, ka regjistruar 3048 të prekur dhe 182 vdekje nga COVID-19. Vendi ishte në izolim të plotë nga 23 marsi në 4 maj, dhe gjatë muajve të fundit ka zbutuar gradualisht kufizimet.
Greqia ka hapur dyert për turistët e huaj, dhe nga 15 qershor i rikthen fluturimet me 29 vende, që konsiderohen si më të sigurta.