Qeveria vendosi sot të mbyllë klubet e natës, diskotekat dhe ‘lounge-bar’-et duke paralajmëruar gjobitjen me 3 milionë lekë për cilindo sipërmarrës që nuk zbaton këtë vendim.
Po kështu është vendosur të ndalohet muzika për çfarëdolloj aktiviteti pas orës 20:00, gjë që nëse shkelet do të gjobitet me 1 milionë lekë.
Për këtë vendim, artistët zhvilluan një protestë përpara kryeministrisë në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme.
Artistët thanë se ndihen të penalizuar nga akti normativ, pasi me ndalimin e muzikës live pas orës 20:00, ata humbasin mjetin kryesor të jetesës.
Për këtë masë dhe për protestën ka reaguar me anë të një statusi në Twitter edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se është e pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin për këtë masë, pasi nuk janë lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe.
“E pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin pse ministria e Shëndetësisë shtrëngoi masën për klubet e natës e diskot, ndërkohë që hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe! Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje”, shkruan Rama në Twitter.