Tre orë pasi GJKKO dha vendimin për ta liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”, kryedemokrati Sali Berisha ka lënë ambientet e banesës së tij për të mbërritur në selinë e PD-së ku është pritur me brohorima nga mbështetës të shumtë.
Berisha ka mbajtur dhe një fjalë para mbështetësve të tij, ku ka thënë se sot është përmbysur piramida më e madhe e mashtrimit. Më tej, ai ka thënë se tanimë, veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Ish-kryeministri është shprehur se sot nuk ka fituar ai, por e vërteta dhe Kushtetuta.
Berisha u shpreh se tashmë është shtruar rruga për të sjellë PD-në në pushtet, ndërsa nuk mungoi as ironia për Yuri Kim, duke përmendur barin.
“Kujtoni këto arritje dhe do të kuptoni se tashmë e kemi shtruar rrugës, që do sjellë Partinë Demokratike në pushtet! Na përçanë, por ne u bashkuam. Na hodhën barin, ua hodhëm në grazhd!”, tha Berisha.
Berisha kërkoi edhe njëherë qeverinë teknike, duke thënë se është rruga e vetme për kryeministrin Edi Rama. “Rama ka vetëm një rrugë, qeverinë teknike. Pse ka frikë Rama nga vota e lirë. Sot ishte një fitore, por kemi akoma shumë punë përpara”.
Sali Berisha: U krye dhe kjo punë, piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale. Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të demokracisë. Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Rama dhe Soros dështuan në tentativë të tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë asaj.
Sot, sakrifica, mundi i 3 viteve triumfoi dhe u shpërblye. Ne qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërtetën dhe vlerat që besojmë pas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët, sot është një ditë e mirë për opozitarët, një ditë shprese. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës sepse sot nuk fitoi Sali Berisha, sot ka fituar e vërteta, sot ka fituar Shqipëria, ligji dhe kushtetuta.
360 fjalime, kam thyer rekordin e fjalimeve këtë vit. Tani e tutje, veprimi do të jetë kryefjala jonë e përbashkët. Por ka ende disa mesazhe që duhet të ju them shqiptarëve. Dua të falenderoj cdo shqiptar dhe familjen time që mori një dozë të madhe tyë kësaj sakrifice. Falenderoj të gjithë që me qëndresën e tyre dhe me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e shtëpisë time në bulevardin e shpresës. Falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët që me mosbindjen e tyre bënë Shqipërinë me opozitën më të fuqishme që ka pasur. Falënderoj gjykatësen, e cila nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës.
Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar.
U përpoqën të shkatërrojnë Partinë Demokratike, si forca kryesore opozitare e Shqipërisë. U përpoqën të asgjësojnë politikisht Sali Berishën, sepse mbrojta interesin kombëtar të shqiptarëve dhe vendosa të luftoj për ju. Për dinjitetin tuaj. Për lirinë tuaj. Liritë tona! U përpoqën të fshijnë historinë. Të fshijnë pluralizmin. Të fshijnë NATO-n. Të fshijnë liberalizimin e vizave. Të fshijnë luftën e suksesshme të Partisë Demokratike kundër krimit të organizuar. Dhe absolutisht që ky skenar diabolik, antishqiptar, do të kishte qenë i suksesshëm. Sepse u sulmuam jo vetëm me gjykata, jo vetëm me media të kontrolluara, por u sulmuam nga mafia më e rrezikshme sot në planet, nga mafia Edi Rama-Xhorxh Soros-McGonigal. Nuk ka shumë opozita në planet që do i mbijetonin një sulmi të tillë.
Por ne ja dolëm! Triumfuam! Ne fituam hap pas hapi çdo betejë. Dhe kjo vetëm falë jush dhe miqve tanë. Vetëm mendoni miq, sa fitore arritëm në këtë vit të vështirë. Kujtoni këto arritje dhe do të kuptoni se tashmë e kemi shtruar rrugës, që do sjellë Partinë Demokratike në pushtet! Na përçanë, por ne u bashkuam. Na hodhën barin, ua hodhëm në grazhd! Të gjithë deputetët sot janë bashkë. Sot janë në këmbë. Na vodhën flamurin e partisë, por ne e rifituam atë. Më qëndresë. Me këmbëngulje. Na izoluan, por sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë! Me dy rezoluta nga shumica e partive politike më të fuqishme të planetit që dënojnë narkoshtetin shqiptar.
Berisha ka deklaruar se është arrestuar se ka mbrojtur interesin kombëtar, pasi ka thënë se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve.
Sali Berisha: Mashtruan se Sali Berisha është i korruptuar. Po hetimi trevjeçar nxori se Berisha u arrestua pikërisht se mbrojti interesin kombëtar, u arrestua pikërisht se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve. Sepse provat e vetme që gjetën ishin bamirësi të vajzës sime ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe pagesat që ajo kishte bërë për shërbime mjekësore për mua, të gjitha të deklaruara. U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës, po këtu tani u bënë qesharakë me veten e tyre. A mund të blihet heshtja e Sali Berishës? Kurrë! Kërkuan ta zhysin Shqipërinë në terrin e narkodiktaturës. Por ne ndriçuam çdo natë në Rrugën e Shpresës. Dhe nga sot, dritën e kësaj rrugë do ta përhapim sepse Shqipëria duhet të jetë vend i shpresës dhe kombi ynë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo kombi i krimit dhe i narkotrafikut!
Por ka dhe një arritje tjetër, edhe më të madhe se këto që ne kemi arritur bashkë. Kjo fitore nuk ka rëndësi vetëm për ne, vetëm për të tashmen. Kjo fitore ka rëndësi edhe për ata që vijnë pas nesh, për të ardhmen. Kjo arritje do iu shërbejë brezave të ardhshëm shqiptarë, si një trashëgimi e vyer kur ne të mos jemi më, si një burim inspirimi. Kjo arritje do u jap dritë atyre në momente të zeza si këto që kaloi Shqipëria këto vite. Kjo arritje është se ne shqiptarët nuk e deleguam kurrë ndërgjegjen! Nuk pranuam të na caktonin kryetarin.
Nuk pranuam mashtrimin për të vërtetë. Jo, miqtë e mi, kurrë! Në këtë kohë krizash të vlerave, ju mbrojtët çdo traditë shqiptare, që na kanë mbajtur gjallë ne shqiptarëve ndër shekuj! Ju qëndruat. Me guxim. Me vendosmëri! Me këmbëngulje! Për ato grusht vlerash që e bëjnë njeriun të civilizuar. Për dinjitetin e njeriut. Për familjen. Për demokracinë. Për interesin e kombit! Prandaj dhe sot jemi më pranë se kurrë me triumfin tonë. Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet. Jemi më pranë se kurrë, në misionin tonë, për shpëtimin e Shqipërisë.