Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu seancën ndaj Fredi Belerit. Ajo pritet të mbahet më 5 mars në orën 13:00.
Në këtë seancë Beleri do të paraqesë personalisht konkluzionet e mbrojtjes. Në seancën e sotme u dëgjuan konkluzionet e avokatëve, si edhe të pandehurit Pandeli Kokaveshi.
Ky i fundit ka kërkuar një dënim minimal duke pretenduar për probleme me shëndetin.
“Nëse më shpallni fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kërkoj një dënim të ulët pasi kam probleme shëndetësore unë dhe vajza ime. Mua më ka dënuar Zoti”, mësohet të ketë thënë ai.
Gjatë seancës së sotme në GJKKO mbrojtja e Fredi Belerit i kundërshtoi akuzat. Ai kërkoi pavlefshmëri të përgjimeve.
“Urdhri i përgjimit është firmosur në datë 9 Maj ndërkohë që përgjimet kanë nisur që në datë 8 Maj 2023. Nuk është gjetur pajisja origjinale e përgjimit dhe nuk u pranua kërkesa e Belerit për t’u dëgjuar në gjykatë”, tha mbrojtja.
Kujtojmë se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës akuzohet për blerje votash. SPAK ka kërkuar javën e kaluar 2 vite e 6 muaj burg për Belerin.
SPAK pretendon se përgjimet dhe vëzhgimet ambientale të kryera, kanë dokumentuar përfshirjen e Belerit dhe Kokaveshit në korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri.
Bisedat e regjistruara nga hetuesit dhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, sipas prokurorëve të posaçëm treguan se kandidati fitues në zgjedhjet e 14 Majit në Himarë bleu vota duke ofruar 5 mijë Lekë për 1 votë.