Kryesore Shtyhet seanca, Kushtetuesja: Holta Zaçaj të japë opinion me shkrim mbi aktet...

Shtyhet seanca, Kushtetuesja: Holta Zaçaj të japë opinion me shkrim mbi aktet e GJL

Është shtyrë për të martën në orën 13:00, seanca në Gjykatën Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjykata Kushtetuese thotë se aktet e Gjykatës së Lartë do t’i komunikohen Zaçajt, në mënyrë që kjo e fundit të japë një opinion me shkrim.

“Gjykata Kushtetuese u mblodh sot, më datë 16.12.2024, ora 11:00, për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30. Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t’i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t’u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to. Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17.12.2024, ora 13:00”, njofton Gjykata Kushtetuese.

Kujtojmë se Zaçaj dha një sqarim shterues para pak ditësh sa i takon mbarimit të mandatit të saj dhe theksoi se Gjykata e Lartë s’mund ta shpallë vendin vakant pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese.