Gjykata e Apelit Tiranë kishte caktuar datën 4 korrik për seancën e parë gjyqësore në ngarkim të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për akuzën ndaj tij në dosjen “Babalja”.
Por, avokati i Salianjit dhe ai i Jetmir Olldashit kanë paraqitur deklaratë në Apel, ku njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në seancë për shkak të bojkotit pa afat të avokatëve.
“Vonesat dhe sorrollatjet në sistemin e drejtësisë janë të përhershme për këdo që kërkon të marrë drejtësi, për shkak të kolapsit të sistemit, por edhe të përplasjes për hartën e re gjyqësore. Unë kam paraqitur prova për të provuar pafajësinë time, ndërsa prokuroria duhet të provonte fajësinë. Është çështje e thjeshtë fare: unë kam bërë denoncim publik, jo kallëzim penal, për një të dënuar me 7 vite burg, që jetonte në Shqipëri i lirë për shkak të mbrojtjes politike që i jepte vëllai i tij ish-ministër”, tha Salianji për mediat, pas daljes nga gjykata.