Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 12 shtator seancën paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe të bashkëpandehurve të tij të “Sterilizimit”.
Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e disa prej avokatëve të të pandehurve.
SPAK ka dyshime për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit, të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdoruar detyrën, ndërkohë që, sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin.
Dy ditë më parë, SPAK hyri me forcë në shtëpinë e tij në Vlorë. Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në banesë nuk janë gjetur sende të dyshimta përveç disa shisheve me verë.
Edhe pse nga avokati i Beqaj ka pasur një reagim për objektin që nuk është në pronësi të Ilir Beqaj, agjentët e SPAK-ut e kanë kryer kontrollin. Sipas informacioneve, në kontrollet e mëparshme në sendet e Beqaj janë gjetur foto të objektit me të njëjtin arredim.
Ndërkohë, pas kontrollit të banesës deri në orët e pasdites (18:00), agjentët kanë kontrolluar disa garazhe në pallat.
Informacionet e grumbulluara bëjnë me dije se ish-ministri parkonte një makinë pikërisht në atë pallat. Një burim tha se gjatë kontrolleve të pronave të ish-ministrit nuk është gjetur një automjet, prandaj po kërkohet edhe në garazhet e pallatit.