Nga Aurenc Bebja*, Francë
Gjatë muajit shkurt të 1925, shtypi francez i ka dedikuar disa shkrime konfliktit amerikano-shqiptar në lidhje me akordimin e koncesioneve e naftës në tokën e shqiponjave, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:
Konflikte për naftën
Le Quotidien, e martë, 17 shkurt 1925, f.3
Amerika proteston kundër koncesioneve të bëra Anglisë në Shqipëri
Londër. 16 shkurt. — Shkruajnë nga Uashingtoni se qeveria amerikane sapo i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër koncesioneve të fushave të naftës që i janë akorduar Anglo Persian Oil-it, domethënë, në realitet, qeverisë britanike.
Grupi Sinclair dhe Standard Oil besojnë se koncesionet në fjalë përbëjnë krijimin e një monopoli de fakto në favor të Anglisë.
Protesta amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara njohën Shqipërinë, ato kërkuan që të respektohet “parimi i derës së hapur” për t’i mundësuar industrisë amerikane të naftës të njëjtat të drejta si Anglo Persian-it.
Coolidge kundër koncesioneve të Shqipërisë ndaj Anglo Persian-it
L’Humanité, e martë, 17 shkurt 1925, f.3
Londër, 16 shkurt. (Humanité) Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit për t’i dhënë Anglo Persian Oil C° koncesionet e minierave dhe të naftës.
Shtetet e Bashkuara
Çështja e naftës në Shqipëri.
L’Action française, e enjte, 19 shkurt 1925, f.2
Sipas korrespondentit të New York Times në Uashington, Z. Hughes ka udhëzuar përfaqësuesin e SHBA-ve në Tiranë të informojë qeverinë shqiptare se dhënia ekskluzive e një koncesioni të naftës ndaj një kompanie angleze nuk përputhet me politikën e dyerve të hapura, e cila ishte një nga kushtet për njohjen e Shqipërisë nga Amerika.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat–Albania