Vendimi i ministrisë së Arsimit për të shtyrë datën e zgjedhjeve në Universitete është koordinuar edhe me Presidentin e Republikës Ilir Meta.
Në përgjigje të Partisë Demokratike, ministrja Besa Shahini thotë se deklaratat e PD-së për “beteja” opozitare janë absurde.
Besa Shahini: Pa patur mundësi të votojnë studentët, natyrisht që nuk mund të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër universitete. Përderisa nuk kishim siguri se data e mëparshme mundësonte gjithëpërfshirjen e studentëve, u detyruam ta shtyjmë atë.
Vendim ky, i ndërtuar mbi propozimet e vetë studentëve dhe i koordinuar me të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces, përfshirë edhe zyrën e Presidentit.
Në këtë kontekst, deklaratat e PD-së për “beteja” opozitare janë absurde. Në vend të sajimit të kauzave të paqena, do ndihmonte shumë politikëbërjen arsimore sikur energjitë opozitare të kanalizoheshin në kauza reale që do të përmirësonin cilësinë dhe menaxhimin në arsim.