Aktualitet Shuhet familja në aksidentin tragjik/ Eduarti dhe Silvana Gushi me dy vajzat...

Shuhet familja në aksidentin tragjik/ Eduarti dhe Silvana Gushi me dy vajzat ishin kthyer për pushime

Udhëtimi drejt pushimeve të verës në Shqipëri është shndërruar në tragjedi për familjen Gushi, katër pjesëtarët e së cilës humbën jetën në një aksident në rrugën Fier-Vlorë. Ngjarja ndodhi herët në mëngjes, ndërsa babai, Eduart Gushi, nëna Silvana dhe dy vajzat Anastasia 14 vjeç dhe Eva, 9 vjeçe humbën jetën nga përplasja e fortë.

Eva, vajza më e vogël u nxor e gjallë nga makina, por pak momente më pas edhe ajo humbi jetën dhe nuk mbijetoi dot, megjithë përpjekjet që u bënë për ta çuar në spital.

Policia ka mundur të zbardhë paraprakisht dinamikën e aksidentit. Shkak është bëtë një makinë tip “Audi” me targa AA 107 XX, që lëvizte me shpejtësi mbi 150 km/orë, ku udhëtonin 3 të rinj nga Fieri.

Audi i ka rënë nga pas mjetit “Toyota” me targa greke, në të cilën udhëtonte Eduart Gushi me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij. Nga goditja “Toyota” ka dalë nga rruga dhe është përplasur duke u shkatërruar plotësisht.

Për shkak të deformimit të madh, trupat e pajetë kanë mbetur të bllokuar brenda mjetit dhe vetëm ndërhyrja e zjarrfikësve që kanë sharruar makinën ka bërë të mundur nxjerrjen e tyre.

Tre të rinjtë që udhëtonin me mjetin “Audi” fatmirësisht janë gjallë dhe janë transportuar menjëherë në spital. Mjeti i tyre u përplas edhe me një shtyllë elektrike dhe më pas ka përfunduar në kanalin anës rrugës. Të plagosurit Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi janë jashtë rreziku për jetën.

Të dy mjetet po udhëtonin nga Fieri drejt Vlorës. Mbetet për t’u sqaruar nëse ‘Toyota” ka ndërruar korsi dhe është goditur nga mjeti tip “Audi” ku udhëtonin të rinjtë, apo këta ishin me një shpejtësi të tillë që nuk e kanë kontrolluar makinën dhe janë përplasur me mjetin tip “Toyota” ku udhëtonte familja Gushi.

Familja Gushi jetonte në emigracion në Greqi. Eduart Gushi ishte nga Patosi dhe prej një viti e gjysëm jetonte jashtë bashkë me familjen. Kthimi për pushime në jug të Shqipërisë ka qenë fatal për të.

Shqipëria vendi me numrin më të lartë të aksidenteve në rajon

Në Shqipëri, aksidentet rrugore janë shkaku i tretë i fataliteteve pas vdekjeve natyrale dhe atyre me diagnoza të panjohura. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, fatalitetet si pasojë e aksidenteve rrugore përbëjnë më shumës e 1 për qind të totalit të vdekjeve të raportuara.

Ndonëse shifrat u ulën gjatë vitit të shkuar, kjo edhe si pasojë e masave kufizuese, 5-mujori i parë i këtij viti shënoi një rrije të ndjeshme të aksidenteve. Sipas INSTAT, në harkun janar – maj ndodhën 547 aksidente rrugore nga 390 të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje të ndjeshme pësoi edhe numri i fataliteteve. Në 5-mujorin e parë humbën jetën 90 persona nga 58 në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Ardhja e verës dhe shtimi i fluksit të qarkullimit në rrugët e vendit pritet të rrisë edhe më tej shifrat e aksidenteve rrugore. Këtë e konfirmon edhe trendi i muajit qershor, ku teksa muaji ende nuk është mbyllur, shifrat janë në nivel më të lartë krahasuar me vitin e shkuar.

Gjatë vitit 2020, në tre muajt e verës ndodhën 375 aksidente rrugore në të cilat humbën jetën 56 persona. Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore krahasuar me shtete e tjera të rajonit.