Ka ndërruar jetë Fehmi Oshafi, një ndër regjisorët e njohur të kinemasë shqiptare, i cili si kryevepër të tij ka filmin “Kapedani”, duke e realizuar me kolegun Muharrem Fejzo.
Por ajo që pak ose aspak dihet si fakt, është se që të dy, në realizimin e një prej kryeveprave të kinemasë shqiptare, e kanë çuar plot sherr e përplasje bashkëpunimin e tyre gati 6-mujor në sheshxhirime. E nga ana tjetër, filmi nuk e reflekton këtë.
Fehmi Oshafi, i shuar në moshën 86-vjeçare nisi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo.
Por ishte “Kapedani” në vitin 1972, i cili shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare, duke e renditur atë si mjeshtrin e këtij zhanri. Më pas do vijnë prej tij “Ëndërr për një karrige” në vitin 1984 dhe “Zëvendësi i grave” në vitin 1987.