Në Greqi ai adhurohej si hero popullor. Kompozitori i famshëm, Mikis Teodorakis frymëzoi miliona vetë jo vetëm me muzikën e filmit “Aleksis Zorba.” “Mikis” i grekëve ndërroi jetë në Athinë në moshën 96-vjeçare.
Ministria e Kulturës e dha lajmin të enjten: Kompozitori Mikis Teodorakis ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare në Athinë.
Shumë vetë e kanë lidhur emrin e Mikis Teodorakuis me filmin “Aleksis Zorbas” dhe sirtakin e famshëm.
Por kompozitori i njohur ka kompozuar shumë vepra të tjera moderne. Teodorakis e dha koncertin e parë në moshën 17 vjeçare. Gjatë pushtimit nazist ai luftoi kundër trupave gjermane, kurse në luftën qytetare greke të vitit 1946-1949 iu bashkua kampit të majtë. Ai u arrestua disa herë si kundërshtar komunist i regjimit, u torturua madje edhe u varros për së gjalli.
Në vitin 1970 Teodorakis u dëbua në ekzil, por rebeli grek vazhdoi të kompozojë e udhëtojë nëpër botë. Në vitin 1974, pas fundit të diktaturës ushtarake, ai u kthye në Greqi, ku u prit si hero. Me këngët e tij ai prekte zemrat e grekëve. Kështu shumë grekë e këndojnë ende sot me entuziazëm këngën e tij “Imaste dio”.
Lufta e Teodorakis drejtohej gjithmonë kundër barbarisë dhe shtypjes. Në vitin 1986 ai themeloi së bashku me kompozitorin turk, Zülfü Livaneli Komitetin e Miqësisë Turko-Greke për t’i dhënë fund armiqësisë shekullore mes dy vendeve fqinje. Të dy artistëve iu desh të dëgjonin shumë akuza si tradhtarë të kombit.
Angazhimi muzikor nuk e pengoi kompozitorin të shprehej me fjalë të qarta edhe për politikën aktuale. Kështu ai ngriti zërin fuqishëm kundër politikës së kursimeve të qeverisë greke nën presionin e BE. “Po përjetojmë një tragjedi kombëtare”, iu drejtua ai bashkëkombasve të tij në vitin 2012. Pa arsye grekët po “manovrohen në buzë të greminës”.
Edhe në moshën 95-vjeçare Teodorakis reagoi si për shembull në krizën e Coronës vitin e kaluar, kur ai kritikoi masat e qeverisë, që në fillim, nuk u ofroi ndihma muzikantëve që dolën pa papunë. Nëse ndodhte diçka në Greqi, shumë vetë donin të dëgjonin opinionin e tij. Teodorakis ishte kthyer në heroin popullor të grekëve.