Është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 79-vjeçare poeti Lefter Çipa. Ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë.
Çipa ka lënë pas një krijimtari të madhe me 18 libra me libra me poezi si dhe është autor i rreth 1250 këngësh.
Ai do të kujtohet si mjeshtër i poezisë popullore me kontribut në polifoninë shqiptare.
Menjëherë pas lajmit tragjik reagoi Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai thoshte se Çipa ka qenë një krijues brilant. Meta u shpreh ngushëllime familjarëve të tij, ndërsa shton se humbja e legjendës së poezisë dhe polifonisë shqiptare do të jetë e pazëvendësueshme.
“Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë, legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u nda sot prej nesh. Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë. Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na lëndoi të gjithëve. Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij”, shprehet Meta.