Akademiku, shkrimtari, historiani, Moikom Zeqo eshte ndare nga jeta sot ne oret e para te mengjesit.
Moikomi vuante prej disa vitesh nga një sëmundje të cilën e përballoi me kurajo të pashembullt.
Ka qenë i rëndë viti që shkoi dhe ky vit për jetën e tij. Aq sa ne, miqve të tij, por jo vetëm miqve, na është dukur e pamundur ringritja dhe rikthimi i shpejtë me të njëjtën energji si dikur.
Një sëmundje e rëndë, përmes një cikli të ripërsëritur, e ka drobitur trupin, por jo mendjen , as shpirtin, e as fuqinë për të shkruar.
Atë e ka shqetësuar gjithnjë thellësia e domethënieve, të cilat kishin brenda vetes shumë imagjinatë të trazuar dhe shpesh herë shpërthyese.
Veprat e tij, në tërësinë e tyre paraqesin një rend konceptual të lirisë; të lirisë së njeriut, lirisë së mendimit, lirisë krijuese, lirisë për shpalljen e të vërtetës.
Në fillimin e pranverës, Moikomi botoi njërin nga librat e mëdhenj të jetës së tij, “Përjetësi me qira” si një sfidë për lavditë e rreme. Në parafjalën poetike të tij ka shkuar se “Amshimi, as blihet, as shitet, as grabitet dhe as vritet”.
E vërteta që ai ka shpallur, si një profeci madhore, nuk mund të blihet e as të shitet, e aq më pak të tjetërsohet apo të harrohet.
Ai ka hedhur mes nesh, thesaret e shpirtit njerëzor dhe artin e mendimin e tij të pafund, që i përkasin një zemre e mendje të mbushur me përkushtim ndaj vendit të tij dhe së të vërtetës.
Nëse dikush nuk do e dinte për ecejaket e tij të shpeshta në spital, nuk do të mund ta besoje se Ai, Moikomi, thuaj se gjysmën e vitit, ishte nën kthetrat e shëndetit të rënduar.
I përqeshi ato, u çpangua përmes mendjes dhe dëshirës për të vërtetën, u rikthye furishëm në botimin e disa librave në të njëjtin vit, në media, ku spikat në gazetën DITA, në afishimin e së vërtetës në të gjithë kohërat, në akademi shkencore, në takime të veçanta, që nga Mali i Zi ku u botua njëri ndër librat e tij me poezi, e deri në Kosovë, në përurimin e Shtatoreve të heronjve të Kosovës, Adem, Shaban e Hamzë Jashari, duke qenë pjesë e merituar e zbulimit të tyre; në diskutimet me miq, në përkthimet e mahnitshme, që nga poezitë e Garcia Lorkes e deri te poeti i shquar amerikan, Wyane Miller, i cili për herë të parë erdhi në Shqipëri me 21 maj të këtij viti.
Përcaktues i studimeve të vyera të të gjitha kohërave, botues i më shumë se 100 studimeve në gazetën DITA, dhe, të gjitha këto, duke qenë në udhëkryqin e jetës së tij.
Në parafjalën e njërit prej librave të tij, ai ka shkruar se “Libri im s’ka nevojë për asnjë përjetësi”. Në fakt, edhe sikur të ishte i pranishëm vetëm në dy vitet e fundit, ai e ka fituar këtë. Sepse ishin dy vitet e triumfit mbi sfidën e ashpër.
/DITA