Këngëtarja dhe aktivistja irlandeze, Sinéad O’Connor ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare. Lajmin e trishtë të shuarjes së artistes e bëri me dije familja e këngëtares përmes një njoftimi.
“Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Sinéad-it tonë të dashur. Familja dhe miqtë e saj janë të shkatërruar dhe kanë kërkuar privatësi në këtë kohë shumë të vështirë”, thuhet në njoftim.
Shkaku i vdekjes së këngëtares nuk është bërë akoma i ditur për publikun.
O’Connor, e cila ishte e hapur në pikëpamjet e saj sociale dhe politike, solli për artdashësit e saj 10 albume midis viteve 1987 dhe 2014. Kënga e saj më e famshme titullohet “Nothing Compares 2 U”, e cila i dha famën që meritonte artistes.
Përsa i përket jetës së saj personale, viti i kaluar ishte shumë i vështirë për të pasi i biri i saj 17-vjeçar, Shane ndërroi jetë disa ditë pasi u raportua i zhdukur. Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja zbuloi shkakun e vdekjes të së birit.
“Ai kishte vendosur t’i jepte fund luftës së tij tokësore, por askush të mos e ndjekë shembullin e tij”, shkroi ajo.
Këngëtarja më vonë anuloi të gjitha performancat e ardhshme live për pjesën tjetër të vitit 2022 për shkak të dhimbjes së madhe që ndjente për humbjen e djalit të saj.