Vladimir Ajazi, një prej emrave të mëdhenj të futbollit durrsak dhe atij shqiptar, është ndarë nga jeta. Shkak është bërë një sëmundje e rëndë, nga e cila vuante 69-vjeçari.
Ajazi ishte pjesë e brezit të artë të futbollit shqiptar në vitet ’70-’80, ku luante si portier me Lokomotivën e Durrësit, teksa ka mbrojtur edhe portën e Kombëtares Shpresa.
Pas karrierës si futbollist, ikona e qytetit bregdetar punoi si trajner portierësh te Teuta, pozicion të cilin e mbajti edhe në Kombëtaren A nga viti 2002 deri më 2006-n, kur në krye të stolit ishte gjermani Hans Peter Brigel.
Ajazi ka punuar gjithashtu edhe me ekipet e moshave dhe me Kombëtaren rajonale të Durrësit.