Kryesore ‘Shullazi’, Krimet e Rënda thërrasin ish-kryeministrin Berisha si dëshmitar

‘Shullazi’, Krimet e Rënda thërrasin ish-kryeministrin Berisha si dëshmitar

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, ish-drejtori i Përgjithshëm i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në policinë e Shtetit Ardian Çipa dhe shtetasja Marsida Musai, e cila rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, do të dëshmojnë në gjyqin kundër Emiljano Shullazit. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, me kërkesë të avokatëve të Emiljano Shullazit.

Mësohet se Musai është bashkëshortja e bashkëpuntorit të drejtësisë Ylvi Beqja, i cili në disa seanca më parë gjyqësore dëshmoi kundër Emiljano Shullazit, Gilamdo Danit dhe tre personave të tjerë të këtij grupi kriminal.

Emri i Berishës në këtë çështje ka dalë nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili teksa dëshmonte para Gjykatës së Krimeve të Rënda tha se personi që ka dijeni të plotë mbi kërcënimet ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, është Sali Berisha, pasi sipas Tahirit ky person ende pa filluar hetimet nga policia ka shkruar një status publik në profilin e tij në “FB”, duke denoncuar disa prej anëtarëve të këtij grupi se kishin kërcënuar dy profesorët e nderuar. Berisha doli edhe në një konferencë për shtyp ku denoncoi përpara mediave Emiljano Shullazin dhe anëtarët e grupit të tij se kishin kërcënuar me jetë kandidatin për Rektor Mynir Koni, me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga gara dhe atë në largim, Dhori Kule për mosdhënie mbështetje.

Kaq ka mjaftuar që i pandehuri Shullazi dhe avokatët e tij, të kërkojnë në gjykatë thirrjen si dëshmitar të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili do pyetet mbi rrethanat se si ishte vënë në dijeni të këtyre kërcënimeve dhe çfarë dinte mbi këto kërcënime të profesorëve. Gjykata ka pranuar këtë kërkesë të avokatëve dhe ka ftuar në seancën e të martës së ardhshme ish-kryeministrin Sali Berisha të paraqitet në gjyqin e Shullazit. Po kështu seancën e radhës pritet të paraqitet në gjykatë si dëshmitar dhe Ardian Çipa, ish-kreu i Krimeve të Rënda dhe krimit të organizuar, sot drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve pranë Ministrisë së Brendshme.

Njëherësh avokatët i kanë kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda të njoftojnë për t’u paraqitur si dëshmitarë në gjykatë dhe shtetasen Marsida Musai. Kjo e fundit rezulton të jetë gruaja e biznesmenit dhe bashkëpuntorit të prokurorisë, Ylvi Beqja. Nga sa mëson “Shqiptarja.com” Musai është larguar nga Shqipëria në një vend të sigurt, për shkak të kërcënimeve që ka marë ajo dhe familja e saj. Ndërkohë në seancën e sotme kundër pesë të pandehurve të prokurorisë kanë dëshmuar në gjykatë tre dëshmitarë.