Chelsea thuhet të ketë nisur negociatat me ish-trajnerin e Barcelona-s Luis Enrique për të zëvendësuar Antonio Conte-n nëse vendos të shkarkojë trajnerin italian përpara se të përfundojë sezoni.
Sipas spanjolles Sport, spanjollit do t’i jepet një kontratë për pjesën e mbetur të sezonit dhe për dy vitet në vazhdim për të ndërtuar një projekt afatgjatë.
Pozicioni i Conte-s është në rrezik pas dy humbjeve radhazi ndaj Bournemouth dhe Watford që kanë bërë që Chelsea të rrezikojë pjesëmarrjen në Champions League sezonin tjetër.
Sport raporton se Conte-s do t’i jepet një mundësi e fundit në ndeshjen e radhës ndaj West Brom të hënën më 12 shkurt, por nëse humbet do të jetë fatale për të. Gazeta spanjolle vijon duke thënë se e vetmja arsye pse klubi nuk ka shkarkuar trajnerin është financiare.
Nëse Chelsea do ta shkarkonte Conte-n, do t’i duhet t’i jepte atij plot 37 milionë euro kompensim.
Blutë do të ndeshen me Barcelona-n në 1/8-at e Champions League më 20 shkurt, dhe nëse parashikimi i Sport del i vërtetë, ndeshja e parë e Luis Enrique-s në stolin e Chelsea-t do të jetë ndaj ish-ekipit të tij.