Kryesore Shumë funksionarë para drejtësisë, Rama: Kjo është një kohë që po bëhet...

Shumë funksionarë para drejtësisë, Rama: Kjo është një kohë që po bëhet histori në Shqipëri

Pasi “theu rekord” me konferencën më të gjatë të fundvitit ndonjëherë, kryeministri Edi Rama u pyet lidhur me faktin se pse shumë funksionarë të lartë gjenden para drejtësisë. Ai ritheksoi se asnjëherë nuk ka komentuar vendimet apo proceset që u takojnë institucioneve të drejtësisë.

Sipas Ramës, Shqipëria aktualisht është në fazë historike për “betejën” kundër krimit e korrupsionit.

11 vite më parë ju mendonit se sistemi korruptonte individin, sot pas 11 vitesh ku shumë funksionarë që janë përpara drejtësisë, mendoni njësoj?

Edi Rama: E para, është e habitshme për mua që prej vitesh i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe nuk e di çfarë nuk kuptohet nga ato që them unë. Por dua t’ju kujtoj se ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo që unë kam thënë, janë bashkë. Sepse kur unë kam thënë, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, nuk kam thënë një fjalë që e kam shpikur unë. Është dituri publike kjo, e kam mësuar dhe e besoj 100%. E dyta, pikërisht se e kam besuar atë që kam thënë, kam udhëhequr përpjekjen për reformën në drejtësi. Si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë. Nuk e di me sa e masni, shumë apo pak është relative dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh. PS ka 800 mijë mbështetës, do ketë edhe më shumë në pranverë. Gjatë këtyre mandateve duhet të ketë pasur mbi 50 ministrave, mbi 500, 600 drejtues vendorë, mbi 200 deputetë. Çfarë do të thotë tashi shumë, shumë çfarë?! Ju mund të thoni se reformën e solli Amerika me aeroplan, mund ta thoni… ndërkohë për këdo që njeh dhe do të njohë historinë e reformës në drejtësi, mjafton të kthehet në kohën kur ne ishim në opozitë. Janë me dokumenta.

A do ta pastrojmë llumin nga sistemi i drejtësisë? Është pastruar një pjesë e madhe apo jo? Janë pyetje që i kam shtruar para reformës në drejtësi. Mos vallë mendoni se kur unë kam thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi që sheh drejt dhe kur të jetë për të goditur, të godasë kë duhet goditur, mendoni se kam bërë retorikë? Për qejf? Unë çdo gjë që them e mendoj, e besoj…Kërkojeni një kryeministër në të gjithë Europën, që nuk ka bërë një koment për një çështje konkrete. Pse? Sepse unë që bëj koment edhe për punën tuaj, vallë nuk kam komente për të bërë? Kam plot, por është vendimmarrje strategjike kjo. Kemi hequr duart nga ai pushtet, është hera e parë në historinë e këtij vendi. Historia kur lexohet duket sikur është bërë nga njerëz që kanë ardhur nga Hëna, jo mor kështu kanë qenë edhe ata, si ne. Kjo është një kohë që po bëhet histori në Shqipëri. Unë nuk jam këtu as për të ngrënë pula, as për të shijuar jetën sipas mënyrës se si e kuptojnë shijimin e jetës ata që kanë më shumë vetura se çorape. Unë jam këtu për historinë dhe ne po bëjmë historinë! Është hera e parë që nga viti 1912, më jepni fakte, më tregoni kur ka pasur Shqipëria një gjyq, një proces të pandikuar nga pushteti politik?! Ma thoni një rast! Nuk ka pasur. Nuk ka pasur sistem drejtësie siç duhet. Thonë që ka pasur drejtësi të mirë në kohë të Zogut. Dakord, mund të ketë pasur, por jo për ministrat dhe bashkëpunëtorët e Zogut.