Tek Juventusi, pa nisur ende mirë kampionatin, janë shfaqur problemet e para. Lënia jashtë listës së Champions nuk u prit aspak mirë nga mesfushori Emre Can, i cili u shfaq tepër i irrituar në një deklaratë publike, edhe pse më pas u tërhoq po me një qëndrim publik, teksa shkruante se për bardhezinjtë është gati të japë gjithçka.
Në fakt, trajneri Maurizio Sarri, përpara se kampionati të niste, e kishte deklaruar se skuadra ka fryrje dhe se disa lojtarë duhet të largohen. E vërteta është se asnjë prej elementëve të rëndësishëm nuk u largua nga radhët e bardhezinjtë. Jashtë listës së Championsit mbeti edhe Mario Mandzukic, por sulmuesi kroat nuk reagoi.
Lista e lojtarëve që kanë pakënaqësi te “Zonja e Vjetër” mund të shtohet. Në sulm, Dybala, Mandzukic dhe Bernadeschi nuk pritet të kenë shumë minuta, pasi deri më tani Sarri është mbështetur plotësisht tek treshja Higuian-Douglas Costa-Ronaldo.
Maurizio Sarrin e pret një punë e vështirë te bardhezinjtë, pasi nuk duhet të stërvitë thjesht një skaudra apo t’i japë një tjetër imazh lojës së tyre, por i duhet të menaxhojë një ekip kampionësh. Pikërisht kjo e fundit mund të jetë sfida më e madhe e trajnerit.