Ish-kryeministri Sali Berisha, ditët e fundit, ka përshkallëzuar sulmet në adresë të filantropistit me famë botërore, George Soros, duke u përfshirë në polemika edhe me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flenckestein.
Ndryshe nga kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili nuk e ka lakuar qoftë edhe një herë emrin e Sorosit në publik, Sali Berisha ka dhënë alarmin se George Soros dhe mafia e tij, janë një rrezik madhor për demokracinë shqiptare.
Po ashtu, Berisha ka aluduar edhe për një miqësi okulte mes Sorosit dhe kryeministrit Edi Rama.
Po sa i vërtetë është Sali Berisha në ofensivën ndaj Sorosit?
Cilat janë fijet e padukshme që lidhin filantropin me krerët e Partisë Demokratike?
Nëntë vjet më parë, në 25 janar të 2008, Sali Berisha e shpallte George Soros mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa sot e konsideron si rrezik për kombin shqiptar dhe si njeriun që ka korruptuar më shumë se kushdo tjetër politikanë mbi tokë. Nëntë vjet më parë, Berisha i kërkonte George Soros financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri, ndërsa sot e akuzon për veprime mafioze në Shqipëri.
Takimi në Zvicër
Në 25 janar të 2008, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me George Soros, në Davos të Zvicrës. Në njoftimin e Kryeministrisë, Soros konsiderohej si mik i madh i shqiptarëve.
“Në vijim të takimeve, në Davos të Zvicrës, (ish) kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, George Soros, financier dhe filantrop i njohur botëror. Gjatë bisedës me George Soros, (ish) kryeministri Berisha u ndal në ecurinë e reformave në Shqipëri, si dhe bëri një panoramë të arritjeve në fushën arsimit, kulturës, shëndetësisë, etj.”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Ndërkaq, në 6 Dhjetor të 2014, George Soros ka zhvilluar një vizitë në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Soros ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Mbetet mister se çfarë është diskutuar në atë takim, por i pranishëm ka qenë deputetët Eduard Selami dhe Gerti Bogdani.
Projektet
Gjatë takimit në Davos të Zvicrës, ish-kryeministri Sali Berisha, i ka prezantuar z. Soros projektet e ndërmarra në bashkëpunim me kompani të njohura botërore në sektorin energjetik.
Po ashtu, Berisha i ka kërkuar Sorosit ndihmë për popullsinë rome. “Më pas, biseda u përqendrua në çështje sociale, ku Berisha, në mënyrë të veçantë u ndal në problematikën e shtresave rome dhe egjiptiane në Shqipëri, për të cilat kërkoi mbështetjen e z. Soros në projekte të ndryshme në ndihmë të kësaj popullsie.
Nga ana e tij, Z. Soros u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në realizmin e projekteve të tilla. Ndër të tjera, George Soros u shpreh se do te zgjerojë bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në projekte për zhvillimin e arsimit dhe sistemit universitar në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Dokumenti për Sorosin
Misioni çerekshekullor i filantropistit me famë botërore, George Soros, në Shqipëri, është rrethuar gjithnjë me një mjegull misteri. Emri i miliarderit Soros, herë pas here, del nga nëndheu i politikës shqiptare, ndërsa teoritë konspirative dhe aludimet e artikuluara në adresë të tij, janë të pafundme.
Ndërkaq, disa ditë më parë, Shqiptarja.com zbardhi disa dokumente sekrete, të strukturave të ‘perandorisë Soros’, të cilat qartësonin rolin e saj dhe politikat e ndjekura në Shqipëri. E-mail-et janë hakeruar nga një grup i panjohur, i cili fshihet nën emrin DC Leaks.
Përmbaja e njërit prej e-mail-eve, zbardhur nga Shqiptarja.com, vizaton rolin real të George Soros në zhvillimet politike në Shqipëri, në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian si dhe pozicionin e organizatës në raport me kampet politike në Tiranë.
Ndryshe nga perceptimet e krijuara, rezulton se Shqipëria ka një peshë modeste në planet e Sorosit. Ndërkaq, organizata e Sorosit, Open Society Foundation (OSF) në Shqipëri pranon afrimin me Partinë Socialiste, ndërsa tregon momente kyç të ndërhyrjes në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri./shqiptarja.com