Pandemia Covid-19 po rrezikon seriozisht futbollin europian. I cilësuar si një prej industrive më të mëdha dhe më fitimprurëse në botë, loja e top-këmbës ka hyrë në krizë të jashtëzakonshme.
Në raportin më të fundit të “KPMG”, për efektet e pandemisë, është konfirmuar se humbja e përllogaritur nga Shoqata e Klubeve Europiane shkon në 5 miliardë euro.
Raporti ka marrë në shqyrtim të ardhurat e gjashtë ekipeve kampione në Ligat më të mëdha europiane: Juventus, Paris Saint Germain dhe Porto kanë regjistruar humbje të mëdha, ndërsa Liverpool, Real Madrid dhe Bayern janë goditur më pak.
Humbjet lidhen kryesisht me të ardhurat nga biletat, shpenzimet që tifozët bëjnë gjatë periudhës së kaluar në stadiume, por edhe nga rënia e vlerës së futbollistëve në merkato.
Sipas KPMG, vlera e 500 lojtarëve më të kushtueshëm ka rënë me 9,6% nga shkurti 2020 deri në janar 2021. Në fillim të sezonit merkato u bazua te operacionet më pak të kushtueshme, duke regjistruar 2,5 miliardë euro më pak të shpenzuara, në krahasim me verën e vitit 2019.
Porto në Portugali regjistroi rënien më të madhe të të ardhurave operative, me 50 për qind më pak, edhe për shkak të eliminimit të parakohshëm nga Champions. Por, goditjen më të madhe e vuajti Paris Saint Germain me mbi 95 milionë euro humbje, ndërsa Juventusi afro 62 milionë euro.
Bayern kishte rënie më të lehtë, me vetëm 3%, ndërsa në mënyrë të befasishme, Real Madrid regjistroi rekordin e të ardhurave operative me 681 milionë euro, pavarësisht rënies me 8%. Humbjet janë ndikuar prej ndeshjeve të anuluara, apo të luajtura me dyer të mbyllura, ku përjashtimet e vetme janë Liverpool dhe Porto.
Klubi që ka humbur më tepër është Real Madrid, me afro 35 milionë euro, ndërsa Juventusit i mungojnë rreth 22 milionë euro në arka. Raporti evidentoi gjithashtu se klubet e vetme që kanë nxjerrë përfitime neto në vitin 2020 janë Bayern Munchen me rreth 6 milionë euro dhe Real Madrid me shifrën modeste 300 mijë euro.
E frikshme humbja e PSG me rreth 126 milionë euro, e shkaktuar edhe nga mbyllja e parakohshme e kampionatit francez, por edhe Porto e Juventus janë goditur rëndë nga pandemia.