Protesta e nisur dje nga Partia Demokratike më shumë se një skenar i mirëmenduar ngjan me një lëvizje, ku spontaniteti është regjisor. Kjo u pa që nga himni kombëtar i cili u këndua në fund të protestës dhe jo në fillim, dhe pastaj në objektivat e saj të cilat duket se kanë qenë variabël gjatë 24 orëve të para, ku e fundit ngjan se është kërkesa për qeveri teknike që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Duket një kërcim goxha i madh ky, nga një opozitë apatike në radikale, hope të cilat më shumë tregojnë konfuzion, sesa mendim të pjekur.
Që vendi të shkojë në zgjedhje me qeveri teknike, duhet të ketë disa kushte:
Më e thjeshta është që qeveria nuk ka situatë të kontrolluar në parlament. Por kjo maxhorancë ka më shumë vota sesa i duhen, për të konfirmuar veten. Dhe derisa parlamenti është legjitim, atëhere e tillë është edhe qeveria.
Një arsye tjetër është situata kaotike, me maxhorancë të delegjitimuar për shkak të pamundësisë të kontrollojë rendin, ekonominë dhe territorin. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një protestë një ditore, por për muaj e muaj të tërë paqëndrueshmërie politike dhe kolapsi ekonomik. Mirëpo deri tani asnjë nga këto faktorë nuk është vërtetuar, pavarësisht protestës së djeshme e cila kishte përmasa të konsiderueshme. Që të çojë vendin në këtë pikë, opozitës do t’i duhet më shumë sesa një protestë.
Kërkohet gjithashtu fryma e ndryshimit në vend. Shqiptarët janë të lodhur nga kjo qeverisje, janë të lodhur nga arroganca, paaftësia, dhe personazhet kleptokratë të saj, por kjo nuk ka çuar detyrimisht në bindjen se opozita që vjen është shpresëdhënëse. Nëse Basha vazhdon dhe prezantohet me gjithë enturazhin që u dënua me votë në 2013-ën, nuk ka shumë shanse të nxjerrë njeri nga shtëpia. Të paktën jo ata që quhen shtresa gri e elektoratit. Rilindja ka vërtetë ministra që blejnë kostume nga 5 mijë euro, por e keqja është se i blejnë tek i njëjti dyqan që i blenin edhe figura që i rinin në krah Bashës gjatë protestës.
Nëse opozita nuk e ka kuptuar se 2013-tra nuk ishte blerje votash, por dënim i arrogancës, keqmenaxhimit, vjedhjes dhe shpërdorimit të pushtetit nga PD, atëherë më keq për të.
Së fundmi ka të bëjë me mënyrën e protestës. Ngujimi në sheshe është një metodë e përdorur në Ukrainë, ku dora e shërbimeve sekrete perëndimore ka qenë prezente. Kjo kërkon edhe përkrahjen politike të perëndimit. Nëse nuk ekziston asnjëra nga këto, rrezikon të dalësh nga çadra me bisht në shalë, si Edi Rama njëherë e një kohë, i cili nuk kishte asnjërin nga këto asete. As PD-ja nuk e ka një prapavijë të tillë. Atëherë ka shumë mundësi që nga problem politik e gjitha kjo iniciativë të kthehet në problem trafiku. Mos harrojmë se dikur ishte kjo parti e cila me mitingjet e përditshme në Bulevardin e Tiranës ngjalli bezdi për qytetarët, ç’ka solli fitoren e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe rënien dramatike të kuotave të PD.
Nëse Ilir Meta nuk ka premtuar daljen nga qeveria; nëse demokratët besojnë ende se Sali Berisha ka shkopin magjik; nëse gjithë suporti ndërkombëtar që kanë është Doris Pak; atëherë kanë një problem të madh: Si të dalin nga çadra?/dritare.net