Dihet prej kohësh që ngritja apo hedhja e flamurit të bardhë në fushën e betejës, do të thoshte se personi apo grupi i luftëtarëve po dorëzohej para armiqve apo kundërshtarëve. Sot, flamuri i bardhë është një simbol i njohur ndërkombëtarisht i armëpushimit, dorëzimit, dhe fakti që ata që e ngrenë këtë flamur janë të hapur për negociata.
Po si lindi ky zakon?
Përdorimi i një flamuri të bardhë për të nënkuptuar dorëzimin, përmendet për herë të parë gjatë dinastisë kineze Han, rreth shekullit III Pas Krishtit, edhe pse fillimisht u shoqërua me vdekjen dhe zinë për ushtarët e rënë. Më vonë, ngjyra e bardhë u bë simbol i dorëzimit, si dhe për të treguar pikëllimin e atyre që kishin humbur dhe për ushtarët që kishin humbur në betejë.
Ndërkohë, në Romën e Lashtë, kronisti Tit Livi tregoi se si një anije kartagjenase ishte zbukuruar me “lesh të bardhë dhe me degë ulliri” si një simbol i negociatave gjatë Luftës së Dytë Punike. Edhe Taciti ka shkruar për flamujt e bardhë që u shfaqën kur forcat Viteliane u dorëzuan gjatë Betejës së Dytë të Kremonës në vitin 69 Pas Krishtit.
Historianët besonin se zgjedhja e kësaj ngjyre ndodhi sepse e bardha mund të dallohej lehtësisht në mesin e kaosit të një beteje. Përveç kësaj, në kohët e lashta ishte shumë me e lehtë të gjeje një pëlhurë të bardhë, diçka që ushtarët mund ta improvizonin lehtësisht me materialin që kishin me vete.
Por flamuri i bardhë u shndërrua me shpejtësi edhe në kohët moderne në një simbol të njohur ndërkombëtarisht i dëshirës për një armëpushim ose për të zhvilluar negociata në fushën e betejës. Lajmëtarët e monarkëve dhe fisnikëve mbanin në duar shkopinj të bardhë për t’u identifikuar nga pjesëmarrësit në luftime. Gjatë Luftës Civile në SHBA, ushtarët tundnin paraprakisht flamujt e tyre të bardhë, përpara se të mblidhnin të plagosurit e tyre, një shenjë kjo e një armëpushimi të përkohshëm.
Konventa e Hagës
Konventat e Hagës të viteve 1899 dhe 1907, janë traktate dhe deklarata ndërkombëtare të negociuara gjatë dy konferencave ndërkombëtare të paqes të mbajtura në qytetin e Hagës në Holandë. Këto 2 dokumente, së bashku me Konventat e Gjenevës, janë deklaratat e para formale që përcaktojnë ligjet e luftës, si dhe krimet e luftës në ligjin ndërkombëtar.
Ndër ligjet e përcaktuara në to, kishte nga ato ku ushtrive u ndalohej të përdornin flamurin e bardhë për të mashtruar armiqtë apo u shtirur sikur do të dorëzoheshin, me qëllimin dashakeq për t’i zënë në pritë trupat armike. Neni 23 i Konventës së Hagës së vitit 1907 thotë:
“Është veçanërisht i ndaluar…përdorimi i pahijshëm i flamurit të armëpushimit, i flamurit kombëtar apo i shenjave ushtarake dhe i uniformës së armikut, si dhe i simboleve dalluese të Konventave të Gjenevës”. Ndërkohë në nenin 37 thuhet: “…Aktet që e nxisin kundërshtarin të besojë se ka të drejtë ose është i detyruar t’i akordojë mbrojtje të dorëzuarve sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në konfliktin e armatosur, me qëllimin e mëpasëm për të tradhtuar këtë besim, do të përbëjnë tradhti”.
Ndërkohë neni 38 ndalon keqpërdorimin e stemës dalluese të kryqit të kuq, gjysmëhënës së kuqe ose luanit dhe diellit të kuq apo i emblemave, shenjave ose sinjaleve të tjera të parashikuara nga konventat ndërkombëtare.
Rrethimi i Jorktaun
Rrethimi i Jorktaun, që njihet ndryshe edhe si Beteja e Jorktaunit nisi më 28 shtator 1781 dhe zgjati deri më 19 tetor të atij viti. Trupat e Ushtrisë Kontinentale Amerikane të kryesuara nga gjenerali Xhorxh Uashington Xhilbert Dë Motje dhe Markezi de Lafajet, të kombinuara me trupat e ushtrisë franceze të Kontit Dë Roshambe, luftuan dhe mundën ushtrinë britanike të udhëhequr nga gjeneral-lejtënanti Çarls Kornuollis.
Ishte një fitore vendimtare, e cila rezultoi të ishte beteja e fundit e madhe e Luftës Revolucionare Amerikane. Më 16 tetor, Kornuollis u dorëzua dhe dërgoi te kundërshtari dy njerëz duke tundur një flamur të bardhë, duke nënkuptuar qëllimin e tyre për të ndërprerë armiqësitë dhe gatishmërinë dhe dorëzimin.
Ai e bëri këtë nga frika se trupat e tij të rrethuara do të asgjësoheshin nga forcat e ushtrive kontinentale dhe ato franceze. Shkelja e flamurit të bardhë të armëpushimit mund të kishte pasoja shumë të rënda. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, japonezët fituan një reputacion shumë negativ për shkeljen ose mosrespektimin e flamujve të armëpushimit.