Administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Joe Biden mund të ndryshojë me shpejtësi një varg politikash të emigracionit të Presidentit Donald Trump, shumë prej të cilave mbeten ndër iniciativat më të debatueshme të administratës së tij. Biden mund të shfuqizojë shumë udhëzime duke përdorur të njëjtin mekanizëm që presidenti Trump përdori për t’i zbatuar ato – urdhrat ekzekutivë. Megjithatë, vendime të tjera do të kërkojnë më shumë se kaq, thonë ekspertët. Në katër vitet e fundit, presidenti Trump ishte autori i më shumë se 400 akteve rregullatore që i ndërmori përmes autoritetit të tij ekzekutiv.
Michele Waslin, koordinatore e programit në Institutin për Kërkime të Imigracionit në Universitetin George Mason, i tha Zërit të Amerikës se lista përfshin kufizime të gjera të udhëtimit, ndryshimin e përparësive për imigracionin, ndryshimin e rregullave të azilit, një deklaratë emergjente për ndërtimin e murit të kufirit dhe pakësimin e numrit të pranimit të refugjatëve.
“Në teori, dekretet presidenciale dhe urdhërat ekzekutivë mund të anulohen nga presidenti i ri; megjithatë, në shumë raste, ndryshimi nuk do të jetë i menjëhershëm pasi do të duhet të emërohet personel në këto agjenci, udhëzuesit dhe manualët në terren duhet të përditësohen dhe do të duhet të bëhen plane për të kryer ndryshimet“, shpjegon ekspertja.
Zonja Waslin thotë se zhbërja e politikave të tjera pritet të jetë më komplekse.
“Politikat që u ndryshuan përmes rregulloreve ka të ngjarë të kërkojnë rregullore të reja dhe një periudhë të re për të dëgjuar komente nga publiku”, shpjegon ajo.
100 ditët e para
Brenda 100 ditëve të para, Biden-i pritet të shfuqizojë urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndaloi shumicën e shtetasve nga vende të caktuara të vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Fillimisht, kufizimet shënjestruan qytetarët e disa vendeve me shumicë myslimane por u zgjeruan për të përfshirë vende të tjera që Uashingtoni i konsideron si kërcënuese për sigurinë.
Urdhri i fundit përfshin Mianmarin, Eritrenë, Kirgistanin, Nigerinë, Sudanin, Tanzaninë, Iranin, Libinë, Somalinë, Sirinë dhe Jemenin, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut.
Një tjetër ndryshim që ekspertët thanë se do të ishte i thjeshtë për t’u bërë është rihapja e programit DACA për të gjithë aplikantët e kualifikuar.
DACA është një program i nisur nga administrata Obama që mbron nga deportimi njerëzit e sjellë në moshë të mitur, në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Nën administratën e presidentit Trump, agjencia e Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara, USCIS, ndaloi pranimin e aplikimeve të reja për programin DACA.
Në vitin 2019, administrata Trump propozoi një plan që premtonte një ndryshim “të drejtë, modern dhe ligjor” të sistemit të emigracionit amerikan. Ai nuk adresonte programin DACA dhe Kongresi nuk veproi pas asaj.
Pritet gjerësisht që një administratë e presidentit të zgjedhur Biden të zgjerojë mbrojtjen nga deportimi, si dhe autorizimin për të punuar për qindra mijëra emigrantë të tjerë pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë.
“Gjykata e Lartë kishte urdhëruar tashmë agjencinë USCIS që të fillonte pranimin e aplikacioneve DACA përsëri, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Administrata e re duhet të jetë në gjendje të rihapë procesin e aplikimit; megjithatë, një zgjidhje legjislative është e nevojshme për të ofruar me të vërtetë mbrojtje të përhershme për atë grup njerëzish që kanë ardhur në SHBA. si fëmijë të vegjël,” tha zonja Waslin.
Barra Publike
Sipas një raporti nga Instituti i Politikave të Migracionit (MPI), përmbysja e rregullores së agjencisë USCIS mbi barrën publike do të kërkojë më shumë sesa një firmë. Agjencia ka të ngjarë të duhet të kalojë një periudhë njoftimi dhe dëgjimi të komenteve nga publiku.
Rregulli i barrës publike, ose testi i pasurisë siç e quajnë kritikët, kërkon të përcaktojë nëse një emigrant ka të ngjarë të mbështetet në programet e ndihmës publike të Amerikës. Megjithëse rregulli nuk është një koncept i ri dhe ka qenë në manuale për më shumë se 20 vjet, administrata Trump po e përdor atë shumë më tepër sesa paraardhësit e saj.
Biden gjithashtu është zotuar t’i dërgojë Kongresit legjislacionin për t’u siguruar status ligjor shumë emigrantëve pa dokumenta në vend.
“Megjithatë, nxitja e Kongresit për të vepruar për një nga çështjet më të debatueshme të imigracionit do të ishte në mënyrë të pashmangshme një hap i parë sfidues për administratën e re, edhe pse mbështetja publike për reforma në imigracion në përgjithësi është rritur në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë“, sipas MPI-së.
Programi i refugjatëve
Shtetet e Bashkuara kanë marrë për vite me radhë dhjetëra mijëra refugjatë, por nën administratën Trump, pranimet kanë rënë në një nivel të ulët rekord.
Biden pritet të rrisë pragun e pranimit të refugjatëve për vitin fiskal 2021, të cilin administrata Trump e vendosi në 15,000. Gjatë fushatës, zoti Biden premtoi një tavan të pranimeve të refugjatëve deri në 125,000.
Rregullat e azilit
Premtimi i përsëritur shpesh i Presidentit Trump për të ndalur imigracionin e paligjshëm dhe për të marrë kontrollin e kufirit jugor të Amerikës solli një sërë politikash dhe rregulloresh që dobësuan qasjen për mbrojtjen humanitare të migrantëve.
Ato përfshinin Protokollet e Mbrojtjes së Migrantëve (MPP), e njohur gjithashtu si politika e Mbetjes në Meksikë, e cila detyroi mijëra emigrantë të qëndronin në qytetet kufitare meksikane ndërsa prisnin seancat gjyqësore të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Administrata kufizoi gjithashtu azilin për emigrantët që udhëtonin përmes vendeve të Amerikës Qendrore nëse nuk aplikonin për mbrojtje në një vend tranzit para se të mbërrinin në një pikë kufitare të SHBA.
Zhbërja e kësaj politike dhe rivendosja e mbrojtjes për azilantët do të jetë më e vështira, parashikojnë ekspertët.
“Unë besoj se veprimet e administratës Trump ndaj refugjatëve, azilantëve dhe të tjerëve që kërkojnë ndihmë humanitare, do të ndihen për një kohë shumë të gjatë”, tha zonja Waslin.
Administrata Trump ka mbrojtur politikën e Protokolleve të Mbrojtjes së Migranëve (MPP) për të parandaluar mbipopullimin në ambientet e paraburgimit të migrantëve në SHBA./VOA